Besnike Miti është drejtuar në “Stop” në Tv Klan për të raportuar për ish-pronaren e saj, Luljeta Pashollarin. Në tetor të vitit që lamë pas, qytetarja nisi punë në biznesin e Luljetës, por në dhjetor theu krahun në ambientin e punës.
Falë ndërhyrjes së emisionit, Besnikja arriti të merrte pagesën për 15 ditët e punës dhe mbeten ditët e raportit mjekësor.
Emisioni “Stop” interesohet te ISSH ku mëson se aplikimi për raportin e saj nuk është bërë fare. Madje në telefonatën me gazetaren, pronarja nuk i kursen as sharjet dhe fyerjet ndaj ish-punonjëses.
Gazetarja: Përshëndetje, si jeni?
Pronarja: Përshëndetje, si jeni ju?
Gazetarja: Unë jam Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”. Për rastin e Besnikes po ju telefonoj. Patëm një komunikim me bashkëshortin tuaj dhe ai na tha që ka kaluar siguracioni te sigurimet.
Pronarja: Po zemër, i kanë kaluar.
Gazetarja: Unë sot u interesova te Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe më thanë që nuk është bërë asnjë aplikim.
Pronarja: Atëherë, më dëgjo mua tani se të njoh edhe kam respekt për ty sepse e shikoj emisionin. Këto që janë paguar zemër, janë paguar.
Gazetarja: Unë e kam burim zyrtar nga sigurimet që nuk është bërë asnjë aplikim.
Pronarja: S’kemi mundësi, e kupton?
Gazetarja: Po ky është detyrim ligjor, nuk është me dëshirë.
Pronarja: Të kuptoj zemër, të kuptoj.
Gazetarja: Është detyrim ligjor.
Pronarja: Të kuptoj shumë mirë unë ty zemër, por ti të jesh në vendin tim do ta shikosh njëherë se çfarë detyrimesh janë.
Gazetarja: Dëgjo, përpos kësaj, në momentin që zonjës i ka ndodhur incidenti në vendin e punës, ai quhet aksident në punë.
Pronarja: Incidenti i ka ndodhur për fajin e vet se vrapojnë për telefonat ato se nuk u heqim dot telefonat goce. Ne jemi të varur nga këto që marrim dhe psikopatët në punë zemër. Le që është urdhri i shtetit që një psikopat duhet ta mbash në punë. Të lutem zemër, mos më hap telashe e gjëra budalliqe.
Gazetarja: O zonjë, çfarë po flet kështu? Jo, jo ti po i hap telashe vetes tënde se ti nuk je e rregullt në procedurë.
Pronarja: Jo, jo, s’i hap telashe fare vetes unë.
Gazetarja: Është detyrim ligjor…
Pronarja: Të lutem edhe një herë…! Le të rrëzohet me! Nga mendtë e kokës u rrëzua, s’u rrëzua nga mendtë e mia.
Gazetarja: Ashtu ë?
Pronarja: S’do t’u mbaj këmbët unë atyre se vrapojnë për telefonat, kush merr në telefon.
Gazetarja: Këtë rast do ta raportoj te Inspektoriati Shtetëror.
Pronarja: Raportoje zemër, raportoje!
Gazetarja iu drejtua Inspektoriatit Shtetëror të Punës, ku pas komunikimit me kryeinspektorin Ardit Shabanaj thanë se subjekti nuk ka njoftuar për aksidentin dhe për këtë rast do të ngrihet një grup pune për inspektim.
Vetëm për mosnjoftim, subjekti do të gjobitet me 1 milionë lekë, ndërsa grupi i punës do të verifikojë shkeljet e tjera të mundshme./tvklan.al