Kërcënonin familjarët e tyre për kryerjen e pagesës

Tre persona, nga të cilët një shqiptarë dhe dy të huaj, janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi mbanin me forcë për qëllime trafikimi drejt vendeve europiane 30 shtetas të huaj, kryesisht nga vendet e lindjes. Në pranga ranë Mentor Kuka, 40 vjeç, nga Tirana, Muhamed Emin, 26 vjeç nga Libia dhe Zakaria Dervish, 27 vjeç nga Maroku.

Të tre këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin, kishin përshtatur si hotel një banesë disa katëshe në zonën e Laprakës në pronësi të Mentor Kukës, të cilën e përdornin si vendstrehim për klandestinë që vijnë nga vendet e lindjes. 

Pas kontrollit që ushtroi në këtë banesë, policia gjeti në katin e parë, të tretë dhe te katërt, rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme.

Policia bëri të ditur se ata mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.

Për këtë arsye ndaj personave të ndaluar ngriti akuzat për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Gjithashtu në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetas të huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Tv Klan