Është arrestuar ditën e sotme 44-vjeçari Alban Buraku, i shpallur në kërkim për disa vepra penale. Buraku prej Nëntorit të vitit 2018, mbante peng djalin e tij 8-vjeçar në pyllin e Kurbneshit.

I mitur është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, por do të trajtohet nga psikologë për t’ju rikthyer sërish jetës normale pranë nënës së tij.

Sipas informacioneve policore, strukturat policore së Lezhës dhe shërbimet e Komisariatit të Mirditës, pas shumë kontrollesh të zhvilluara për gati një vit e gjysmë, bënë të mundur lokalizimin e 44-vjeçarit  të shpallur në kërkim.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Kurbneshi”,  në kuadër të të cilit  pas rreth 72 orësh kërkime në fshat dhe në pyllin e Kurbneshit, u bë e mundur gjetja dhe prangosja e Burakut, i shpallur në kërkim.

 Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg”, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Buraku pasi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes L. B., kishte marrë dhe djalin e tyre të mitur, në kundërshtim me vendim e Gjykatës.

Prej nëntorit të vitit 2018, Policia e Qarkut Lezhë ka vazhduar punën në mënyrë të pandërprerë për lokalizimin, kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Misnitri i Brendshëm Sandër Lleshja.

“Sot përfundoi një kalvar i rëndë i një fëmije, i cili mbahej peng në male nga…babai i tij, që prej nëntorit të vitit 2018. Nga sot ky fëmijë mund t’i rikthehet jetës dhe nëna e tij e munduar mund të çlirohet nga një makth i tmerrshëm. Le të shërbejë ky lajm pozitiv si një thirrje tjetër për më shumë ndjeshmëri shoqërore kundër dhunës. Le të shërbejë ky moment edhe si një thirrje për më shumë burrëri e përgjegjësi, nga ata burra prindër, të cilët duhet të kuptojnë se vendi i fëmijëve është në familje dhe në shkollë. Falënderime për këtë operacion të suksesshëm të Policisë në Mirditë!”, shkruan Lleshaj. /tvklan.al