J.Zh., i monitoronte me kamera të afërmit dhe u bllokonte valët e telefonit

Një rast i pazakontë u zbulua nga policia në Tiranë. J.Zh., prej disa kohësh kishte mbyllur në shtëpi familjarët e tij.

“35-vjeçari mbante të ngujuar familjarët e tij në një prej apartamenteve të këtij pallati në zonën e Selitës së vjetër në kryeqytet.”

Rasti në fjalë u zbulua pas informacioneve që banorë të zonës dhanë për policinë. Ata treguan për blutë që kishin dëgjuar zëra në një apartament që nuk i kishin parë asnjëherë jashtë. Menjëherë shërbimet e komisariatit nr.1 trokitën në këtë derë, por askush nuk e hapi atë. Dyshimet e policisë u përforcuan pas kamerave të shumta të instaluara në pjesën e jashtme të pallatit, por edhe tek shkallët e hyrjes nr.6.

“Në derë të shtëpisë përveç kamerës së sigurisë është instaluar edhe një zile me kamera për të monitoruar të gjitha lëvizjet në hyrje të banesës.”

Blutë pasi kërkuan për kryefamiljarin e morën dhe çuan në shtëpi. Aty konstatuan ndodhej, nëna e tij, gruaja dhe vajza. Bashkëshortja e 35-vjeçarit nuk tregoi asgjë për policinë, por ishte nëna e cila tha se djali i saj i kishte burgosur prej kohësh. Në këtë moment J.Zh., mësohet se u është drejtuar efektivëve që po i terrorizonin familjen dhe ka kërkuar largimin e tyre. Gjatë verifikimeve në shtëpi, policia zbuloi se në çdo dhomë, madje edhe në tualet kishte kamera të vendosura. Gjithashtu në banesën në katin e tretë u evidentua edhe një bllokues valësh, nëpërmjet të cilit 35-vjeçari u kishte ndërprerë çdo komunikim familjarëve.

I pyetur nga policia ai ngriti pretendimet se e kishte bërë për të mbrojtur familjen e tij, dhe shpeshherë kishte dëgjuar zëra që gruaja fliste me persona të tjerë. Megjithatë policia dyshon se 35-vjeçari me profesion ekonomist ka probleme të shëndetit mendor.

J.Zh., dhe gruaja e tij janë të martuar prej 10 vitesh. Prej fillimit të marrëdhënies mes tyre mësohet se ai ka shfaqur xhelozi, por me kalimin e kohës ishte bërë edhe më shumë. Jetesa në këto kushte, bashkëshortes së tij i kishte shkaktuar stres dhe kishte tentuar vetëvrasjen.

Në banesë policia gjeti dy letra që ajo kishte shkruar për familjarët e saj, ku iu linte lamtumirën dhe u kërkonte falje. Pas arrestimit efektivë të policisë u rikthyen në banesë bashkë me psikologë, por askush nuk e hapi derën.

Ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi në Tiranë u arrestua edhe 66-vjeçari Riza Sallahi. Ky i fundit në zonën e Laprakës, mbylli bashkëshorten në banesë së bashku me nipërit dhe mbesa. Ai i kanoste me mjet prerës sëpatë se do t’i vriste, që të mos lajmëronin policinë.

Për rastet e dhunës në familje të zbuluara nga policia reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruan se policia duhet të rrisë forcën goditëse dhe reaguese pasi dhuna nuk ka asnjë justifikim.

Klan News