PSG hedh sytë nga Ronaldo

Tashmë që Real Madrid dhe Juventus zgjodhën trajnerët, janë futur fuqishëm në merkaton e futbollistëve. Kylian Mbappe duket se është dhurata më e bukur për Carlo Ancelottin pas rikthimit në Madrid.

Nuk është një tratativë e re, por sipas “Gazzetta dello Sport”, tekniku italian ka nxitur klubin të afrojë yllin francez që këtë verë, pavarësisht kostos së madhe të operacionit.

Megjithatë, gjigantët spanjollë duket se do të humbasin kapitenin Sergio Ramos, që sipas raportimeve të fundit, është shumë pranë kalimit te Manchester City, një nga klubet që mund të plotësonte kërkesat financiare.

Dhe çdo lëvizje të emrave big në merkato ka edhe efektin domino. Me largimin e Mbappe nga PSG, klubi francez do të plotësonte menjëherë boshllëkun me Cristiano Ronaldon.

Tashmë portugezi vlen maksimumi 60 milionë euro, shumë të cilën parizienët nuk e kanë problem ta plotësojnë, kjo edhe për faktin se do të shisnin Mbappe, por edhe Mauro Icardin. Ky i fundit mund të përdoret direkt në shkëmbim me Ronaldon.

“Gazzetta dello Sport” raporton se Icardi ka marrë pëlqimin e trajnerit të ri Allegri. Megjithatë, nëse vjen Icardi, bëhen dy numra 9, pasi edhe Morata luan në të njëjtin rol. Prandaj efekti domino i lëvizjes së futbollistëve këtë verë mund të vazhdojë edhe më shumë.

Tv Klan