Franca shkon në çerekfinale të Kupës së Botës pas ndeshjes me Argjentinën ku u shënuan 7 gola. Pesë prej tyre u realizuan në pjesën e dytë të takimit.

Kylian Mbappe edhe pse 19 vjeç e vendosi veten ndër lojtarët më të mirë të botës me një paraqitje prej fituesi. Franca e gjeti avantazhin në pjesën e parë me 11-metërshin e fituar nga Mbappe dhe të realizuar nga Antoine Griezmann.

Në fundin e saj Di Maria barazoi shifrat. Le Blues u gjendën në disavantazh në pjesën e dytë, pasi një goditje e Lionel Messit përfundoi aksidentalisht në rrjetë, pasi u devijua nga Gabriel Mercado. Me një goditje të fortë dhe të saktë Benjamin Pavard, barazoi. Më pas ishte radha e Mbappe të tërhiqte skuadrën.

Brenda në zonë, mes futbollistëve të Argjentinës ai kreu një lëvizje prej kirurgu duke e tribluar e më pas duke i dhënë avantazhin Francës. Mbape ishte sërish i gatshëm për skuadrën e tij duke realizuar edhe golin e 4 me kundërsulm. Thuajse ende adoleshent Kylian Mbape mund të jetë lideri i këtij ekipi për ndeshjet e mbetura të turneut botëror të futbollit.

Nga ana tjetër Lionel Messi dha gjithçka kishte për Argjentinën, por rreth tij munguan kualitetet që mund ta kishin çuar Argjentinën në 4 skuadrat më të mira në botë. Tashmë 30 vjeç kjo mund të ketë qenë edhe ndeshja e tij e fundit në një botëror.

Tv Klan