Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka ripërsëritur edhe njëherë premtimin që i është bërë nga Kryeministri Edi Rama për zgjidhjen e problemit të futbollit.

Në një mesazh në nisje të sezonit të ri futbollistik, Duka shprehet se “ne kemi marrë një premtim nga Kryeministri për zgjidhjen e problemit. Dhe tashmë shohim dritë në fund të tunelit. Presidentët dhe futbollistët, vlerësuan dhe respektuan sakrificat e futbollistëve për të pranuar një zgjidhje që do të jetë nisja e rrugës drejt ripërtëritjes dhe ecjes përpara”.

Sipas Dukës negociatat me qeverinë janë në rrugë të mbarë për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për t’i dhënë një të ardhme më të mirë sportit dhe brezave që do të vijnë.

Kreu i FSHF komenton bojkotin e kampionatit nga Liga Profesioniste duke thënë se kërkesa e tyre ishin në thelb krijimin e një shtrati të duhur ligjor për të formalizuar futbollin dhe për të krijuar një mbështetje më të madhe për ecurinë e futbollit në të ardhmen dhe në përgjithësi për të gjithë sportin.

Ai shprehet se ka qenë kundër bojkot, por shton koha tregoi se “lëvizja e klubeve ia arriti qëllimit, duke bërë që zëri i futbollit të dëgjohet, në opinionin publik dhe atje ku duhet”.

Ky mesazh i Dukës vjen në një kohë që është paralajmëruar se do të nisin sfidat për Kupën e Shqipërisë, por ende nuk ka një vendim për Kategorinë Superiore./tvklan.al