Dhurata nga Turqia, qeveria falenderon Erdoganin

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përmes Facebook-ut ka njoftuar se  kanë arritur 30.000 doza të vaksinës “Sinovac” donacion nga Turqia. Sipas Ministrit, vaksinat në afat sa më të shkurtër do të distribuohen në punktet e imunizimit gjithandej vendit.

Donacioni prej 30 mijë vaksinash ishte dakorduar gjatë vizitës së fundit të delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Turqi, ku Kryeministri Zaev ishte i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Edhe një herë shpreh falënderimin për Republikën e Turqisë dhe Presidentin Rexhep Taip Erdogan për mbështetjen, por para së gjithash për dërgesën e shpejtë të sasisë së premtuar që për ne ka shumë rëndësi”, ka shkruar Ministri Shëndetësisë Venko Filipçe në Facebook.

Ndërkohë, shkaku i mungesës së vaksinave, nëpër punktet e imunizimit në Maqedoninë e Veriut ka rënë numri i vaksinave që jepen brenda ditës. Njoftohet se dje janë vaksinuar 1.455 qytetarë me dozën e parë, kurse 9.000 me dozën e dytë.

Sipas MSH-së, deri tani janë vaksinuar mbi 250 mijë qytetarë kurse afër 160 mijë kanë marrë dy doza të vaksinimit. Janë afro 450 mijë qytetarë që kanë aplikuar për vaksina dhe janë në pritje të ftesës nga autoritetet e shëndetësisë në vend.

Me shifrat e fundit 48% e popullsisë mbi 70 vjeç, 42% e moshës mbi 65 vjeç dhe 35% e moshës mbi 60 vjeç, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Tv Klan