Manastirliu: Vjen furnizimi i dytë me maska dhe veshje speciale

Ka mbërritur edhe një sasi prej 8 ton mjetesh të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, për t’u shpërndarë në të gjithë spitalet.

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku sapo ka mbërritur furnizimi i dytë, financim i qeverisë shqiptare, pas kanalit të hapur të transportit të siguruar nga qeveria turke.

Jemi duke vijuar me transportin e të gjithë materialeve të mbrojtjes personale, të cilat deri tani janë 15 ton që kanë mbërritur në Shqipëri nëpërmjet linjës dhe korridorit të posaçëm të dedikuar nga Turqia për ardhjen e këtyre mallrave. Janë 8 ton që kanë mbërritur sot, ndërkohë që pak ditë më parë kanë mbërritur 7 ton dhe priten që në total ky furnizim të jetë 26 ton, financim i qeverisë shqiptare. Janë të gjitha materiale të mbrojtjes personale duke filluar nga maskat, veshjet speciale, syzet, helmetat mbrojtëse dhe elemente të tjerë të cilat kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë të mjekëve dhe infermierëve”, tha Manastirliu.

Mjetet e mbrojtes personale për stafet mjekësore janë blerë nga qeveria shqiptare, ndërkohë që qeveria turke ka lehtësuar transportin drejt vendit tonë. Manastirlu tha se mjetet e mbrojtjes personale do të shpërndahen në të gjitha spitalet.

Ne rrisim stokun në vazhdimësi në mënyrë që të krijojmë furnizimin e vazhdueshëm për të gjitha spitalet, jo vetëm për spitalet COVID, për Infektivin, për “Shefqet Ndroqin”, por gjithashtu dhe për spitalet e tjera rajonale, ku rritja e stokut është një garanci më shumë për të mbrojtur personelin tonë mjekësor dhe për të siguruar atë barrierë të nevojshme mbrojtjeje nga ky infeksion”, tha Manastirliu. /tvklan.al