Shqipëria ka marrë sot dhe 7020 doza të tjera vaksine nga Pfizer. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili shton se të tjera doza nga Pfizer, AstraZeneca, Sputnik dhe Sinovac do të vijnë në Shqipëri në ditët në vijim.

Më tej kreu i qeverisë në një postim në mediat sociale shton se Shqipëria do të dal nga tuneli i pandemisë.

7020 doza të tjera Pfizer mbërrijnë në Shqipëri; të tjera doza Pfizer, Astrazeneca, Sinovac e Sputnik do të vijojnë të mbërrijnë dhe ne nuk do të ndalemi asnjë ditë, deri në fund.

Ajo që dukej e pamundur deri para vetëm dy muajsh po ndodh para syve tanë çdo ditë! Shqiptarët po vaksinohen masivisht dhe Shqipëria po del nga tuneli i gjatë i pandemisë, për t’iu kthyer me të gjitha fuqitë jetës, e për të rritur ekonominë e saj duke filluar nga sezoni turistik e vijuar me paketën më të madhe në histori të investimeve të huaja, po edhe vendase, private e publike.  Më e mira është e gjitha përpara nesh, së bashku do ta bëjmë Shqipërinë të Ardhmen tonë”, shkruan Rama.

Deri tani janë 396,560 doza vaksinash që kanë mbërritur në Shqipëri, nga të cilat janë kryer 267,541 vaksina./tvklan.al