Mbërrijnë në atdhe 14 fëmijë dhe 5 gra nga Siria, Rama paralajmëron operacion tjetër: Nuk do të ndalemi këtu


Mbërrijnë në atdhe 14 fëmijë dhe 5 gra nga Siria, Rama paralajmëron operacion tjetër: Nuk do të ndalemi këtu

08:25 01/08/2021

19 shtetas të tjerë shqiptarë, gra dhe fëmijë nga kampi Al Hol në Siri janë kthyer sot në Shqipëri. Për kurorëzimin e këtij operacioni të vështirë drejt Libanit udhëtoi të shtunën edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Këtë të dielë 14 fëmijë dhe 5 gra mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

“Një operacion i jashtëzakonshëm që çon në shtëpi 19 bashkatdhetarë të tjerë nga kampet fatkeqe në Siri. Mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekjeje të gjatë, një operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe. Nuk diskutohet dhe falë ndihmës së posaçme nga konsulli ynë i nderit në Liban, Marc Ghorayeb dhe gjenerali Abass të cilin e kam falenderuar dhe më parë.

Ne nuk do ndalemi këtu. Ka edhe një operacion potencialisht tjetër për të zhvilluar me një numër që nuk e dimë ende për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden. Llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më të vogël, duke menduar se më shumë se sa gjysma, tanimë është marrë dhe është në vendin tonë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe struktura e antiterrorit e ministrisë së Brendshme”, tha Rama.

Ky është operacioni i tretë që realizohet në bashkëpunim mes ministrisë tonë të Brendshme dhe autoriteteve libaneze e shërbimet sekrete të disa vendeve partnere për të shpëtuar shtetasit shqiptarë që mbahen peng në këtë kamp. Më parë është mundur të riatdhesohet Alvin Berisha dhe më pas edhe Floresha Rasha dhe 4  fëmijë të tjerë.

2 persona refuzojnë kthimin nga Siria në Shqipëri, Rama: Mbahen peng

Janë të paktën 2 persona që janë identifikuar nga autoritet shqiptare në kampet siriane, por që nuk kanë pranuar tëkthehen. Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të diel se nga informacionet në rrugë inteligjente këta persona janë pengje dhe kanë frikë që të kthehen pasi mund të vriten në momentin e shkëputjes.

“Deri tani janë shfaqur raste sporadike do thosha, dy raste që i njohim personash dhe nuk mund të bëj emra apo të jap identitete personash që janë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë persona që janë pengje. Janë pengje brenda kampeve. Janë persona që nuk kthehen dot se kanë frikë, dhe frikën e kanë të bazuar në faktin se gjatë momentit të shkëputjes mund t’ju marrin jetën, kështu që në dijeninë tonë, janë dy persona që kanë refuzuar, pra që janë identifikuar, por nuk kanë bërë hapin për t’u paraqitur”, tha Rama.

Operacion me rrezikshmëri për riatdhesimin e 19 grave dhe fëmijëve nga Siria, si do të integrohen në shoqëri

14 fëmijë dhe 5 gra u riatdhesuan nga kampi fatkeq i Al-Hol në Siri. Ata mbërritën në Tiranë këtë të dielë dhe shoqëroheshin nga kryeministri Edi Rama, i cili shkoi në Liban për të ndjekur operacionin e shpëtimit të tyre. Kreu i qeverisë pati një prononcim për gazetarët, ku u pyet se si do të integrohen në shoqëri këta persona.

“Tani ata janë marrë nga strukturat tona të posaçme të kombinuara të Policisë së Shtetit dhe Mirëqenies sociale. Do t’i drejtohen një strukture enkas të përgatitur për ta në Durrës ku do të bëhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe ato psikologjike, ku do të kenë një periudhë të shkurtër karantinimi dhe pastaj sipas rastit sepse një pjesë e tyre kanë familjarë dhe adresa këtu, do të çohen ose nëpër shtëpi, ose pastaj do të qëndrojnë në struktura të posaçme. Bëhet fjalë për gra dhe fëmijë. Kjo e bën, të lehtë këtë punë, nga pikëpamja e sigurisë. Nga pikëpamja psikologjike dhe shoqërore kjo kërkon rëndësinë e vet dhe ne jemi përgatitur siç jemi përgatitur më parë”.  

Operacioni për shpëtimin e 19 bashkatdhetarëve ka pasur vështirësi dhe ka qenë shumë kompleks. Rama deklaroi se gjenerali që ka ndjekur operacionin ka treguar se ka pasur rrezik për jetët e personave që kanë qenë përfshirë në operacion.

“Operacionet e kësaj natyre janë të vështira sepse nuk zhvillohen në një terren miqësor, por zhvillohen në një terren forcash që janë dhe në luftë me njëra-tjetrën përveç të tjerash dhe kampet nuk janë kampe pushimi, jo e jo, or as kampe shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuar. Janë kampe lufte me autoritetet që variojnë. Në këtë drejtim puna që bëhet e dyfishtë, me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar për të mbledhur informacion. Brenda kampit ka dinamika të ndryshme. Ka njerëz që nuk shfaqen fare. Ka njerëz që janë pengje të të tjerëve aty brenda. Është vërtetë një situatë ferri. Të gjitha këto e bëjnë operacionin shumë kompleks. Dhe siç e tha sot gjenerali, ka pasur vërtetë rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion”./tvklan.al






Të ngjashme