Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Fushata e vaksinimit do të nisë javën e ardhshme dhe fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, një aeroplan i kompanisë, Turkish Airlines, solli dozat e vaksinës, të cilat kanë ardhur nga Amsterdami përmes Stambollit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se arritja e këtij kontigjenti do të mundësojë shpëtimin e jetës së njerëzve.

“Është ky një kontingjent i vogël, por që ngjallë shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetës së njerëzve, sidomos të personelit tonë shëndetësorë dhe grupeve popullsisë në rrezik”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova ka humbur kohë shumë për sigurimin e vaksinave, por shtojë se tani duhet të vepruar dhe sipas tij “vaksinimi duhet të fillojë menjëherë” dhe pa vonesa.

“Vendi ynë është i vogël dhe varfër andaj edhe ka nevojë për mbështetje të madhe dhe solidaritet nga të gjithë, e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët kryesorë të aleancës GAVI COVAX”, shtoi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Kosova tani fillon fazën e re të luftës kundër pandemisë, përmes nisjes së vaksinimit.

“Edhe pse vaksinimi po fillon, nuk do të thotë se kësaj pandemie po i vjen fundi”, tha Vitia, duke kërkuar që të vazhdohen të respektohen masat kundër koronavirusit siç është mbajtja e maskës, e distancës dhe e higjienës personale.

“Gjatë kësaj kohe kemi filluar takimet më të gjitha institucionet shëndetësore, organizatat relevante dhe partnerët ndërkombëtarë, për të diskutuar rreth gjendjes në të cilën jemi dhe vendimet e shpejta që ne duhet t’i marrim. Ne tashmë kemi filluar punën intensive për të siguruar dozat e radhës të vaksinës, siç është komunikuar gjatë ditës se djeshme (e shtunë), Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga Bashkimi Evropian edhe 650 mijë doza të vaksinës (së kompanisë amerikane) Pfizer”, tha Vitia.

I pranishëm në ceremoninë e pritjes së këtij kontigjenti të vaksinave, në aeroportin “Adem Jashari” ishte edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Ai, përmes një postimi në Twitter tha se SHBA-ja është krenare që është kontribuese e programit COVAX.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri tha se që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë, ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë.

“Kjo ditë shënon fillimin e fundit të COVID-19 në Kosovë”, tha Serri.

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicolas Abbot tha se është i lumtur që Kosova pranoi vaksinat e para.

“Shpresoj që të shoh së shpejti zbatimin e mëtejmë të fushatës së vaksinimit”, theksoi Abbott.

Përfaqësuesja e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se pavarësisht se arritja e këtyre vaksinave sjell shpresë, qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat kundër pandemisë.

“Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë nuk jemi të sigurt”, theksoi ajo.

Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqës të programit ndërkombëtar COVAX, kanë për qëllim të shpërndajnë vaksina në vende të varfra.

Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Ditëve të fundit, në Kosovë është regjistruar rritje e rasteve me koronavirus. Të dielën, u regjistruan dhjetë viktima dhe 914 raste. Kjo është shifra më e lartë e infektimeve ditore që janë regjistruar më 2021.

Që prej marsit të kaluar, kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, Kosova ka regjistruar 87.981 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet./REL