Kanë mbërritur votat e para nga diaspora në vend. Bëhet fjalë për 600 fletë votimi që më së shumti i përkasin qarkut të Dibrës, ndërsa siç raportoi gazetarja e Tv Klan Klesiana Omeri kanë ardhur kryesisht nga Italia dhe Greqia.

Këto fletë votimi janë vendosur në ambientet e Parkut Olimpik, i cili është nën monitorim të kamerave. Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, prezentë janë përfaqësuesit ligjorë të partive më të mëdha politike, forca policie si dhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi. Mësohet se fletët e para të votimit kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të Enjteje, ndërsa shumica e tyre gjatë pasdites.


Vlen të theksohet se ende nuk ka përfunduar dërgimi i zarfeve për votuesit shqiptarë jashtë territorit të Republikës.

“Për qarkun e Fierit, Vlorës dhe Shkodrës ende nuk ka nisur dërgimi. Pritet të mbarojë ky proces sonte për Tiranën. Janë shtuar kontrollet e sigurisë për mbarëvajtjen e procesit”, bëri me dije gazetarja.

/tvklan.al