110 mijë doreza, 200 maska, 1 mijë litra dezinfektantë

Dërgesa e parë e Bashkimit Europian me mjete mbrojtëse dhe pajisje mjekësore ka mbërritur këtë të hënë në Tiranë. Gjatë dhurimit mori pjesë edhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca që e quajti të domosdoshëm fuqizimin e stafit mjekësor në luftën ndaj Covid.  Përmes donacionit prej 4 mln euro janë mundësuar mbi 110 mijë doreza, 200 maska, 1 mijë litra dezinfektantë për duart ndërsa të tjera pajisje pritet të vijnë.

“Në javët e ardhme do të vijnë kite të tjera testimi,50 ventilatorë dhe 5 ambulanca. Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë Shqipërisë, më afër se kurrë, pasi së bashku jemi më të fortë”, tha Soreca.

Duke vlerësuar solidaritetin e BE-së, ministrja Ogerta Manastirliu shtoi se krahas lehtësimit të masave duhet rritur kujdesi e vigjilenca.

“Tani është më e rëndësishme se kurrë që të ruajmë vigjilencën dhe të kemi mjete mbrojtëse për personelin mjekësor. Ndaj ky grant fuqizon akoma më shumë stafet mjekësore në këtë luftë kundër COVID-19. Do të ketë nevojë që sistemi ynë shëndetësor të forcohet me këto pajisje”.

Bashkimi Europian ka akorduar për Shqipërinë një shumë prej 50 milionë eurosh për të përballuar pandeminë globale.

Tv Klan