Rrëfime për vështirësitë e udhëtimit në kohë pandemie

Shqipëria ishte destinacioni i parë i Ladinës dhe Tobiasit kur menduan për pushimet e Pranverës. Kjo është vizita e parë për çiftin nga Zvicra, që ka dëgjuar shpeshherë të flitet për vendin tonë.

“Shumë shqiptarë jetojnë në Zvicër, i kemi kolegë, shkojmë në aktivitete, kështu që kemi dëgjuar prej tyre për Shqipërinë, sidomos për natyrën e bukur. Nga këtu do të nisim turin e Ballkanit”.

Po të qenit turistë në kohë kovidi nuk është e lehtë sidomos për Ladinën epidemiologe dhe Tobiasin mjek në profesion.

“Duhet të përshtatesh me rregullat anti-Covid në shtete të ndryshme dhe kjo është pak e vështirë. Në Shqipëri po i prisnim të gjithë me maska, por thuajse nuk e mban askush. Kjo ishte surprizë! Mbrëmë kur arritëm mësuam edhe që karantina niste në orën 10.00 të natës”.

Po cila është përshtypja e parë që ndajnë për Tiranën?

“Kultura e kafesë, ka kaq shumë kafenë të vogla restorante, ishte surprizë për mua, plus që Tirana ka shumë lëvizje. Me pëlqen”.

Më afrimin e ditëve të ngrohta me diell kanë nisur edhe vizitat e para të turistëve të huaj në Shqipëri, kjo edhe për shkak të mungesës së karantinës. Sipas INSTAT gjatë tremujorit të parë të 2021, numrin më të lartë të shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri e kanë Kosova me një rritje prej 38,3% dhe Zvicra me 32,7 %. Por ne krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rënie me 10.4%.

Tv Klan