Pas përcjelljes me nderimet më të larta ushtarake në aeroportin e Rigës në Letoni, trupi i pajetë i Major Klodian Tanushit mbërriti në atdhe rreth orës 13:15. Arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar iu dorëzua rojeve të nderit të ushtrisë sipas protokollit ushtarak.

Në aeroportin ‘Nënë Tereza’ ishin familjarë e të afërm, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, ushtarakë si dhe atashe të huaj në vendin tonë.

Pas ceremonisë në aeroportin ‘Nënë Tereza’, trupi i pajetë i 39-vjeçarit u përcoll për në banesën e familjarëve të tij.

Homazhet për komandantin e kontingjentit shqiptar në Letoni do të zhvillohen ditën e enjte në Muzeun Historik Kombëtar dhe më pas do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve. E enjtja është shpallpur ditë zie kombëtare dhe flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet.

39-vjeçari Klodian Tanushi, baba i tre fëmijëve, humbi jetën në krye të detyrës në bazën ushtarake të NATO-s, Camp Adazi në Letoni, gjatë një procesi çminimi së bashku me nëntetaren Zarife Hasanaj.

Tv Klan