Këto janë momentet e mbërritjes së trupit të Oliver Ivanoviçit në varrezat e Beogradit.

Në hyrje të varrezave dhjetëra qytetarë prisnin për ardhjen e trupit të nisur paraditen e kësaj të mërkure nga Mitrovica. Ceremonia për përcjelljen e Oliver Ivanoviç do të zhvillohet të enjten rreth mesditës.

Ndërkaq hetimet për gjetjen autorëve të krimit të rëndë po përballen me pengesën e parë. Kërkimet për pronarin e automjetit “Opel Astra”, që u përdor në atentatin e së martës i ka çuar hetuesit në një udhë pa krye. Sipas mediave në Serbi, automjeti i përket një 70-vjeçari austriak me origjinë serbe, i cili rezulton i vdekur.

Grupi që po kryen hetimet po shqyrton aktualisht deklaratat e dëshmitarëve dhe pamjet e disa kamerave të sigurisë.

Ajo që dihet deri më tani është se krimi është kryer me pistoletë e Tipit Zastava, një prodhim serb. Në trupin e Ivanoviçit, mjeket-ligjorët thanë se u gjetën 6 plumba të një arme të kalibrit 9 milimetër dhe se ai u qëllua nga një distancë fare e afërt.

“Është qëlluar në pjesën e pasme të kafazit të kraharorit, por edhe në anën e majtë të krahut. Është qëlluar me 6 predha prej të cilave njëra ka qenë fatale, që ka prekur organet me rëndësi vitale. Në aspektin mjekoligjor, është qëlluar nga një largësi 1 metër”, tha Arsim Gerxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Për zbardhjen e ngjarjes, prokurorët kosovarë janë përqendruar te regjistrimet e kamerave të zonës, dëshmitë e banorëve apo edhe përgjimet e telefonave dhe postës elektronike të Oliver Ivanoviç.

Hetimeve që po kryen në Kosovë pritet t’u bashkohet edhe një grup hetuesish serbë, pasi EULEX pranoi kërkesën e Beogradit.

Tv Klan