Një grua britanike i ka mbijetuar një arresti kardiak që zgjati për më shumë se gjashtë orë. Këtë rast mjekët e kanë quajtur si të “jashtëzakonshëm”.

Mësuesja e anglishtes, Audrey Mash, e cila jeton në Barcelonë u gjet përtokë kur zemra e saj kishte ndaluar së rrahuri. Ajo pësoi hipotermi gjatë një stuhie dëbore në Spanjë.

Mash humbi ndjenjat dhe pësoi arrest kardiak përpara se të shpëtohej dhe të ringjallej pas gjashtë orësh në një spital në Barcelonë.

“Ky rast është i jashtëzakonshëm në rang botëror. Është arresti kardiak më i gjatë i regjistruar ndonjëherë në Spanjë”, tha doktori Eduard Argudo.

Audrey ndodhej në malet e Girona-s sëbashku me bashkëshortin. Fatkeqësisht ata ishin ndarë gjatë ecjes. Audrey ka treguar se nuk mban mend asgjë nga ngjarja.

Ndërkohë mediat kanë zbuluar se në momentin që arriti në spital ajo nuk kishte shenja jete. Veshka dhe mushkëritë nuk i punonin.

Një makinë e posaçme, që bën punën e zemrës dhe mushkërive i rritën temperaturën në 30 gradë celsius dhe pastaj u përdor defibrilatori. Audrey nuk pësoi asnjë dëm në tru, çka surprizoi mjekët për shkak edhe të gjatësisë së atakut kardiak.

Arresti kardiak është ndalimi i funksionit të zemrës (enët koronare që ushqejnë zemrën me gjak mund të kenë bllokim ose spazmë të fuqishme shoqëruar me dhimbje të forta gjoksi) që ka nevojë për masazh kardiak, respiracion të drejtuar dhe goditje elektrike që pacienti të ringjallet përsëri./tvklan.al