Qyteti i Auckland në Zelandën e Re ishte i pari që priti Vitin e Ri 2018, përmes një spektakli madhështor fishekzjarresh.

Rreth 3 mijë fishekzjarre të vendosur në gjithë gjatësinë e kullës së famshme Sky Tower, shpërthyen në mesnatë me orën lokale duke dhuruar spektakël për të pranishmit. Rreth 1 orë më vonë, viti i ri trokiti edhe në Sydney të Australisë.

Dhjetëra mijëra njerëz të mbledhur në Sidney ndoqën spektaklin e fishekzjarreve në urën e famshme “Harbour Bridge”, që i kushtohej ligjërimit të martesave mes partnerëve të të njëjtës gjini.

Sydney-n e pasuan metropolet aziatike. Edhe mediat shtetërore koreano-veriore transmetuan live për të gjithë globin festën e fishekzjarreve të Penianit.

Edhe kryeqendrat europiane dhe ato amerikane janë gati për natën e ndërrimit të viteve. Nëpër të gjithë Europën janë shtuar masat e sigurisë. Po ashtu edhe në Times Square të New Jork-ut, ku dhjetëra mijëra njerëz do të mblidhen rreth globit të famshëm për të pritur momentin e ndërrimit të viteve.

Tv Klan