Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ka qenë e ftuar një vajzë 20 vjeç e quajtur Alfrida e cila dëshiron që të takojë hallën e saj që ka humbur kontaktet para shumë vitesh. Ajo ka treguar historinë e hallës që quhet Rudina e cila ka pasur një jetë të vështirë me njerkën dhe të atin e saj.

Alfrida: Jam 20 vjeç, në vitin e fundit të një shkolle profesionale për infermieri, psikologji dhe edukatore. Kam ardhur sot këtu për një peng të familjes dhe babit tim, por nuk kishte mundësi që të vinte, kështu që jam unë këtu, për hallën time. Kemi rreth 6-7 vite që nuk kemi më kontakte me të. Para shumë vitesh gjyshi me gjyshen nga ana e babit janë ndarë, nga kjo martesë kanë patur tre fëmijë, babi im dhe dy motra më të vogla. Kur u ndanë gjyshi me nënën, babai dhe halla e vogël Rudina, vendosën të jetonin me gjyshin, kurse motra e madhe me nënën. Pas ca kohësh gjyshi u martua prapë dhe nga kjo martesë pati dhe dy çuna.

Arditi: Babi jot u martua, erdhët ju në jetë dhe në apartament rrinit ju dhe familja juaj bashkë me Rudinën apo ajo rrinte me gjyshin?

Alfrida: Jo ajo rrinte me gjyshin dhe me dy çunat e tjerë, por ishim shumë afër me njëri-tjetrin. Rudina ka patur një jetë shumë të vështirë, ka qenë e vogël, kur janë ndarë gjyshi me gjyshen, babi ka qenë në moshën e adoleshencës, Rudina 6-7 vjeç dhe s’ka pasur një jetë të thjeshtë. Fakti që nuk pati më kontakt me nënën e saj, ka qenë gjëja e parë. Por edhe jeta që ka pasur me gjyshin dhe njerkën sepse nuk shkonin, kishin shumë debate si me njerkën si me gjyshin, ai mbante ndonjëherë anën e gruas të së tij, ndërsa babi im gjithmonë anën e Rudinës, ai ka shkuar shpesh herë kundër gjyshit për ta mbrojtur.

Rudina u rrit, punonte, por nuk bënte një jetë siç e bënin vajzat e moshës së saj. Ajo punonte, i dorëzonte Lekët në shtëpi dhe nuk kishte një jetë të saj. Edhe pse ishte shumë korrekte do gjenin diçka dhe do kapeshin me të. Unë kam qenë e vogël por i mbaj mend gjërat, nuk e kam patur si hallë, por si motër. Pastaj në vitin 2011 ikëm në Itali, unë dhe familja ime, Rudina ishte në shtëpi me gjyshin. Zënkat e debatet vazhdonin, kështu babi i ofroi Rudinës të jetonte në shtëpinë tonë në Tiranë. U zhvendos aty, punonte dhe dukej sikur ishte më e qetë, por që debatet vazhdonin sepse ishin dyer ngjitur. Aty jetoi për 1 vit e gjysmë dhe vendosi që nuk mundej më. Kur ne shkuam, nuk ishim stabilizuar, babi ishte pa punë vitin e parë, mami po ashtu, prisnim dokumentet.

Prisnim që ta merrnim dhe Rudinën në Itali, por babi nuk i kishte thënë gjë sepse nuk donte ta mbante me shpresa sepse ndoshta nuk realizohej.  Gjerat nuk ecën ashtu siç donim ne sepse gjatë kësaj periudhe 1 vit e gjysmë, debatet vazhdonin dhe Rudina nuk duroi më. Foli me babin dhe i tha, unë nuk mundem më këtu, dua të vazhdoj jetën time. Babi e kuptoi, i tha dakort por nuk mendonim se do humbte kontaktin me ne. Ajo u zhvendos nuk e dimë se ku dhe nuk patëm më kurrë kontakt me të. Nuk e dimë arsyen pse, prandaj jam dhe këtu sot.

Ardit Gjebrea: Po me hallën tjetër keni komunikuar?

Alfrida: Po dhe ajo nuk ka kontakt, e ka kërkuar në rrjetet sociale dhe nuk e ka gjetur. Gjyshi e ka kërkuar edhe kohët e fundit. Unë vitin 2014 kam folur në Facebook, kam qenë 13 vjeç, e kam kërkuar unë, i kam shkruar në Facebook dhe më pati thënë që është martuar dhe është në Portugali dhe nuk donte që të kishte më kontakt me ne dhe më bllokoi, nuk munda t’i shkruaja më. Pastaj një herë tjetër, në vitin 2015-2016 e ka parë djali i madh që ka gjyshi në autobus dhe i ka folur në mënyrë të qetë, i ka treguar që ka krijuar familjen e vetë dhe gjithsecili ka vazhduar rrugën e tij.

Ardit Gjebrea: Ju si e përjetuat këtë histori?

Alfreda: Në fakt shumë keq, por mendonim që është momenti, është me nerva, do qetësohet dhe do na rikontaktojë, por nuk ndodhi kështu. Jam këtu sepse në e duam Rudinën dhe na ka marrë malli.

Alfrida tregon se edhe me mamin e saj Rudina ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë, kanë qenë si motra, madje ajo shpesh herë e ka parë në ëndërr Rudinën që ritakohen dhe i kërkon që të mos ikë më. Këto ëndrra e kanë shtyrë këtë familje që ta kërkojnë më shumë hallën e tyre. /tvklan.al