Në familjen e Gjyles ka një tjetër familjar të sëmurë. Mbesa e madhe e Gjyles, në moshën 2 vjeçe u zgjua papritur e trembur nga gjumi dhe nga ai moment nuk foli më. Ky problem i saji është i pranishëm edhe sot, ajo fle gjithë kohës, ushqehet me vështirësi, ka një këmbë të paralizuar dhe nuk ecën thuajse fare pasi nuk mban dot ekuilibrin.

Ajo përjeton kriza të shpeshta dhe shpesh bëhet agresive. Diagnoza e fundit e mjekëve për të është epilepsia. Vajza ka përfituar një kemp, i cili shpenzohet për medikamentet e saj të shumta.

Mirela Milori: Më the që mbesa e madhe ishte pa qejf. Pse është e sëmurë?

Gjyle Sokoli: Ajo që prej 2 vjeçe e gjysmë ndiqet rregullisht në Tiranë. U tremb natën, i iku goja, iu pre direkt.

Mirela Milori: Çfarë iu kanë thënë mjekët?

Gjyle Sokoli: Ka kaluar në epilepsi reflektuese.

Mirela Milori: Ti thua që e ndiqni në Tiranë, ka përmirësime gjatë viteve?

Gjyle Sokoli: Mund të ketë, po ç’përmirësim do të ketë atje ku jemi ne. Asaj i është dashur një fizioterapist se i kaloi këmba në paralizë dhe nuk ia bëmë dot.

Jeta në fshat i ka krijuar kësaj familjeje pamundësi të thella ekonomike e psikologjike. Shtëpia e tyre është e rrënuar për shkak të tërmetit dhe jetojnë në skamje të thellë, aq sa edhe buka që iu duhet të blejnë çdo ditë është një kosto rëndese në jetën e tyre.

Ata ndodhen të izoluar në fshat, aq sa nuk kanë as mundësi logjistike për të lëvizur dhe iu duhet të ecin mbi 4 orë për të shkuar në spital për mbesën.

E vetmja kërkesë e Gjyles është gjetja e një mundësie më të mirë për ta, qoftë shërimi i krahut, një punë apo një transferim pasi në fshatin Mushnik nuk kanë asnjë lloj shprese. /tvklan.al