Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në një intervistë ekskluzive në “Opinion” në Tv Klan ka treguar raportet e saj me politikanët në Shqipëri.

Kim është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për komentet që qarkullojnë në mediat se gjithmonë ambasadorët mbështesin qeverinë, por Kim thotë se kjo nuk është e vërtetë. Diplomatja amerikane shprehet se ajo është këtu për të përfaqësuar shtetin e saj dhe komunikon me të gjithë aktorët politikë njësoj.

Blendi Fevziu: Mendoj se ka shumë komente në median shqiptare, nga analistë apo gazetarë, madje edhe nga Presidenti i Republikës, që thonë se ambasadat apo komuniteti ndërkombëtar pretendon të jetë i pavarur, por në fund, mbështet qeverinë. A është e vërtetë kjo?

Ambasadorja Kim: Unë mendoj se ky është një keqkuptim i diplomacisë. Si diplomate, në rastin tim, më ka dërguar Presidenti i Shteteve të Bashkuara që të përfaqësoj qeverinë time dhe vendin tim dhe, kuptimi i kësaj është që, në radhë të parë, angazhohem me qeverinë që është zgjedhur në mënyrë legjitime, apo jo? Kjo përfshin Kryeministrin, Presidentin, por përfshin edhe pjesën tjetër të vendit, pra flas me qytetarë të zakonshëm, flas edhe me opozitën. Nuk është mbajtje ane. Nuk është kjo ajo që bëjmë.

Blendi Fevziu: Si është marrëdhënia juaj me Presidentin e Republikës? Mendoj se ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Ambasadën e SHBA, përfshi ish-ambasadorin Donald Lu dhe ju aktualisht.

Ambasadorja Kim: E di që doni të kem një rol në telenovelën e brendshme dhe e kuptoj këtë, por ajo që mund të them është kjo: puna ime është shumë specifike. Jam këtu për të përfaqësuar një palë, dhe kjo është Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përpiqem të ndërtoj marrëdhënie pozitive, produktive me cilindo që është në pushtet dhe kjo përfshin Presidentin, Kryeministrin, udhëheqësin e opozitës, njerëz të zakonshëm, dhe bëj më të mirën që mundem./tvklan.al