Ishte nominuar nga Trump si drejtor i Shërbimeve të Inteligjencës

John Ratcliffe, një figurë tejet e afërt me komunitetin shqiptar në SHBA dhe pjesëmarrës i rregullt në takimet e diasporës shqiptare nuk do të marrë drejtimin e Shërbimeve të Inteligjencës.

Vetëm pak ditë pasi e kishte nominuar si drejtor të kësaj agjencie, Donald Trump tërhoqi kandidaturën e kongresmenit të Teksasit. Hapi pas i presidentit erdhi pas një sërë kritikash që mori në mediat amerikane figura e Ratcliffe, i cili u konsiderua si i pakualifikuar për postin e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Presidenti Trump e cilësoi të padrejtë sulmin e mediave ndaj të përzgjedhurit të tij, megjithatë tha se zoti Ratcliffe do të qëndrojë në Kongres.

“Kongresmeni Ratcliffe është trajtuar shumë padrejtësisht nga mediat. E pyeta, i thashë a dëshiron të vihesh në mes të këtyre sulmeve? Kam lexuar gjëra që nuk janë të drejta. Ai është shumë i mirë dhe nuk e meritonte këtë. Do të bëjmë një zgjedhje tjetër”.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare është një zyrtar i kabinetit që emërohet nga Presidenti dhe zgjidhet nga Kongresi. Ai ka si detyrë të vetme t’i raportojë Presidentit për të rejat, lidhur me agjencitë e tjera të sigurisë në SHBA.

Përmes një postimi në Twitter, Ratcliffe u shpreh i nderuar dhe falenderoi Trumpin që mendoi për të. 53-vjeçari është i lidhur fort me komunitetin shqiptar në SHBA. Në vitin 2016, Ratcliffe mori pjesë në Forumin Kombëtar Ekonomik të Diasporës Shqiptare, ku foli dhe u fotografua duke formuar shqiponjën.

Tv Klan