Kongresi amerikan është mbyllur nga policia pas ndërhyrjes në ambientet e brendshme nga ana e protestuesve dhe mbështetësve pro Presidentit në detyrë Donald Trump.

Protestuesit kaluan barrikadat e sigurisë përreth godinës së Capitol Hill dhe u futën në ambientet e brendshme ku po zhvillohej seanca për certifikimin e rezultatit të Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e Joe Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale.

Ata kundërshtojnë certifikimin e Joe Biden si President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara.

Para trazirave, Presidenti Trump foli përpara mbështetësve të tij dhe vijoi me akuzat për zgjedhjen e zgjedhjeve dhe nuk ka pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden.

Pas ndërhyrjes së protestuesve brenda Kongresit, ligjvënësit dhe gazetarët që mbulonin seancën për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, janë evakuuar në një vend që mbahet sekret për arsye sigurie.

REAGON PRESIDENTI DONALD TRUMP:

Presidenti amerikan në detyrë, Donald Trump, ka reaguar në Twitter pas ndërhyrjes së protestusve brenda ambienteve të Kongresit. Ai u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mos kryejnë akte dhune.

“Po u kërkoj të gjithëve në Kongresin amerikan që të qëndrojnë të qetë. Mos kryeni dhunë. Mos harroni, ne jemi partia e ligjit dhe rendit, respektoni ligjin dhe burrat e gratë me uniformë”.

Zv/Presidenti i SHBA: Ndërhyrja në Kongres nuk do të tolerohet

Ky sulm ndaj Kongresit tonë nuk do të tolerohet, dhe personat e përfshirë do të ndiqen penalisht me të gjithë fuqinë e ligjit”, ka shkruar Pence në Twitter.

Trazirat në Kongresin Amerikan, plagoset me armë një grua

Një grua është plagosur gjatë trazirave në SHBA. Mediat vendase bëjnë me dije se një prej mbështetësve të Presidentit në detyrë, Donald Trump është qëlluar me armë në gjoks dhe tashmë është dërguar në spital në gjendje kritike për jetën.

Shërbimi Sekret në gatishmëri, agjentët të armatosur pas pushtimit të Kongresit

Shërbimi Sekret është armatosur për ruajtjen e sigurisë së zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane pas ndërhyrjes së protestuesve brenda Kongresit amerikan.

Në momentin e pushtimit të Capitol Hill nga ana e mbështetësve të Presidentit Trump, në Kongres ka qenë edhe zv/Presidenti amerikan Mike Pence.

Joe Biden: Kryengritja duhet të marrë fund tani

Joe Biden: “Kjo nuk është një protestë, është një kryengritje. Donald Trump të dalë tani në televizion dhe të kërkojë që t’i jepet fund rrethimit të CapitolMë lejoni të jem i qartë, skenat e kaosit në Kongres nuk përfaqësojnë atë që jemi ne. Ajo që po shohim është një numër i vogël ekstremistësh të përkushtuar ndaj paligjshmërisë. Kjo nuk është mosdakordësi, është çrregullim. Është në kufijtë e kryengritjes dhe duhet të marrë fund tani”.

Trump del me video-mesazh: Shkoni në shtëpi, askush nuk duhet të lëndohet

Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur me një video-mesazh duke u bërë thirrje protestuesve që të largohen nga Kongresi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, edhe në këtë mesazh drejtuar mbështetësve, përsëriti se zgjedhjet presidenciale janë vjedhur, megjithatë ai u shpreh se është e rëndësishme që të mos ketë asnjë të lënduar.

E di që keni dhimbje, e di që jeni lënduar. Patëm zgjedhje që na u vodhën. Por duhet të shkoni në shtëpi tani, duhet të ruajmë paqen, duhet të kemi rend kushtetues, duhet të respektojmë njerëzit e ligjit. Nuk duam që askush të lëndohet, është një kohë shumë e vështirë. Nuk ka patur asnjëherë kohë të ngjashme si kjo, të ndodhte diçka e tillë. Duhet të kemi paqe, kështu që shkoni në shtëpi. Ju duam, jeni të veçantë, e keni parë se çfarë ka ndodhur. E kuptoj si ndiheni, por shkoni në shtëpi”, tha Trump ndër të tjera.

Boris Johnson: Të turpshme pamjet e pushtimit të Kongresit Amerikan

Futjen e protestuesve pro-Trump brenda Kongresit amerikan, Kryeministri britanik Boris Johnson e ka konsideruar një pamje “të turpshme”.

“Shtetet e Bashkuara shquhen për demokracinë në të gjithë botën dhe tani është e rëndësishme që të ketë një tranzicion të qetë dhe të rregullt të pushtetit”, ka shkruar në Twitter Boris Johnson.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stolntenber ka reaguar për këto ngjarje dhe bëri thirrje që rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet.

Demokratët nxisin Mike Pence të përdorë Amendamentin 25 kundër Donald Trump

Kaosi që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shokuar liderët botërorë. Mbështetësit pro Donald Trump u futën brenda Kongresit Amerikan teksa po zhvillohej seanca për certifikimin e njohjes së rezultatit të zgjedhjeve ku fitoi demokrati Joe Biden.

Donald Trump reagoi duke u bërë thirrje protestuesve që të tërhiqen, por përsëriti disa herë që zgjedhjet janë vjedhur. E megjithatë, mbështetësit e tij vijojnë të qëndrojnë në territorin e Capitol Hill.

Ndodhur në kushte të tilla, mediat amerikane raportojnë se dy ligjvënës demokratë po nxisin zv/Presidentin amerikan Mike Pence që të zbatojë Amendamentin e 25 kundër Presidentit Donald Trump.

Ted Lieu nga Kalifornia dhe David Cicilline po hartojnë një letër për Mike Pence ku i kërkojnë që të nisë procedurat për Amendamentin e 25.

Por çfarë është Amendamenti 25? Ky amendament lejon zv/presidentin amerikan që së bashku me një shumicë të zyrtarëve të lartë të deklarojnë Presidentin të paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrat e tij, e në këtë mënyrë i merr pushtetin.

/tvklan.al