Bllokohet certifikimi i fitores së Joe Biden

Certifikimi në Kongres i Joe Biden si President i 46 i Shteteve të Bashkuara është ndërprerë si rrallëherë në historinë e vendit.

Qindra mbështetës të Presidentit në detyrë Donald Trump që rrethuan ndërtesën e Kapitolit në kryeqytetin Uashington, hynë në ambientet e brendshme të Kongresit në përpjekje për të hyrë në sallën e Senatit. Ata qëlluan me grushte dyert teksa njëri prej tyre arriti të hyjë brenda sallës duke detyruar zv/Presidentin Mike Pence si drejtues i seancës, ta pezullojë atë përkohësisht.

Policia ndërhyri duke evakuuar kongresistët, ata të Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorët që sipas Kushtetutës zhvillojnë një sesion të përbashkët për të certifikuar rezultatin e votës së Kolegjit, që shpalli fitues më 14 Dhjetor, demokratin Joe Biden me 306 vota kundrejt 232 të tjerave për republikanin Donald Trump.

1 protestuese mbeti e plagosur nga të shtënat e policisë që nuk mundën t’i largonin protestuesit nga ambientet e Kolegjit, ndërsa në ndihmë të tyre janë thirrur trupat e njësive speciale të Gardës Kombëtare nga shteti federal më i afërt i Virxhinias.

Mediat amerikane bëjnë të ditur se mes protestuesve ka pasur edhe anëtarë të grupeve të ekstremit të djathë dhe atyre raciste.

Presidenti në detyrë Donald Trump, thirrës i këtij tubimi, përmes rrjeteve sociale u kërkoi mbështetësve të tij të protestojnë në mënyrë paqësore ndërsa urdhëroi mobilizimin e forcave shtesë në mbrojtje të rendit publik.

Në një reagim të tij para mediave, presidenti i zgjedhur Joe Biden akuzoi Presidentin në detyrë Donald Trump si organizator të kaosit. Ai i kërkoi shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë të dalë në televizionin publik dhe të dënojë këtë sulm për të mbrojtur kushtetutën. Biden tha se kjo ishte një kryengritje.

Zv/Presidenti Mike Pence doli hapur kundër shefit të tij duke refuzuar thirrjen e Trumpit për të penguar procesin e certifikimit të fitores së Joe Biden. Pence është shprehur se nuk ka arsye dhe fuqi ligjore për ta bërë një veprim të tillë.

Trump i konsideron zgjedhjet të manipuluara. Stafi i tij ka bërë përpjekje për ta çuar rezultatin e zgjedhjeve për interpretim në Gjykatën e Lartë, me shpresën se shumica e trupës gjyqësore e përzgjedhur nga presidentët republikanë Bush e Trump do ia japin në tavolinë fitoren shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Vetë republikanët janë të ndarë, pasi një pjesë e tyre është kundër mënyrës se si Trump kërkon të ruajë pushtetin duke u mbështetur në akuza të pafaktuara për manipulime zgjedhjesh.

Sulmi i ndaj Kongresit vjen një ditë pas zgjedhjeve për 2 vende në Senat në Xhorxhia, ku republikanët pritet të humbin kontrollin e Dhomës së Lartë të Kongresit. Fitorja e mundshme e dy kandidatëve demokratë e çon 50 me 50 balancën në Kongres, teksa Kushtetuta parashikon që zv/Presidentit, post të cilin pritet ta marrë Kamala Herris, i njihet një votë shtesë në rastet e ngërçit në vendimmarrje.

Tv Klan