Programi për konkurrueshmërinë ofron mundësi financimi për bizneset

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH dhe BE po rrisin mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri përmes Programit për Konkurueshmërinë e SME-ve që ofron mundësi të reja financimi për bizneset në vend. Programi u prezantua në Tiranë dhe përfshin hua nga BERZH dhe incentiva në formë grantesh nga BE për bizneset e vogla në partneritet me bankat në vend, ku njëra prej tyre ështe Procredit Bank Albania.  

Sipas përfaqësueses së BERZH, kjo është një ndihmë e madhe ndaj sektorit privat në Shqipëri.

“Ndihma ndaj sektorit privat, veçanërisht për SME-të në Shqipëri që të bëhen më konkurruese dhe përdorimi më eficent i energjisë është një nga prioritetet tona këtu. Ne jemi të lumtur ta zgjerojmë këtë bashkëpunim me programe të ngjashme dhe të kemi qasje në sa më shumë biznese vendase në bashkëpunim me bankat tregtare”.

Programi ofron mundësinë e kualifikimit të gjithë bizneseve çka e bën më gjithëpërfshirës sipas Mirsad Halitit, anëtar i Drejtorisë Ekzekutive të Procredit Bank në Shqipëri.

“SME-të do të mund të aplikojnë për investime në pajisje dhe makineri të reja dhe investime me qëllim rritjen e produktivitetit, uljen e shpenzimeve operacionale, rritjen e eficencës së energjisë dhe përafrimin me standardet e BE. Krahas huave, bizneset do të përfitojnë nga incentiva në formë granti deri në 15% të huasë, të financuara nga BE”.

Linjat e specializuara të kredisë janë të disponueshme në bankën partnere ProCredit. Deri më tani, BERZH ka investuar mbi 1.9 miliardë Euro në Shqipëri.

Klan News