Mbështejtja ushtarake ndaj Ukrainës është në fokusin e samitit të kësaj të enjteje dhe të premteje, të liderëve europianë në Bruksel.
Liderët e unionit do të diskutojnë mbi mënyrat se si mund të plotësojnë hapësirën e lënë bosh nga Shtetet e Bashkuara në mbështetjen financiare dhe me armatime për Kievin përballë sulmit të ashpër nga Rusia, tani që administrata Tramp po përpiqet të arrijë me çdo kusht një marrëveshje paqeje Kiev – Moskë, duke mos përjashtuar mundësinë që ajo të jetë edhe në kurriz të Ukrainës, çka refuzohet kategorikisht nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, unanimiteti për çdo plan ndihme pritet të jetë i vështirë për t’u arritur, me kundërshtimin e vendeve miqësore me Moskën brenda unionit si Hungaria.
Përpara samitit, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se këto janë ditë vendimtare për Evropën, ku do të diskutohet se si të arrihet në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Samiti zhvillohet pasi Vladimir Putin ra dakord të ndalë për 30 ditë sulmet ndaj infrastukturës energjetike në Ukrainë, në bisedën telefonike që zhvilloi më herët gjatë kësaj jave me Donald Trumpin.
Tv Klan