5 rojet bregdetare që akuzohen se ndihmuan skafistin që po transportonte 55 klandestinë, dolën para gjykatës së Vlorës. Në seancën gjyqësore ishin të pranishëm edhe familjarë të tyre të cilët kundërshtuan ndalimin dhe i cilësuan të afërmit e tyre heronj.

Të padrejtë e konsideruan arrestimin edhe vetë të pandehurit. Sipas tyre ata shpëtuan jetët e njerëzve mbrëmjen e 8 Janarit të këtij viti. Ata kanë deklaruar në sallën e gjyqit se shumë prej personave ishin në gjendje të rëndë dhe ata shmangën një tragjedi. Por pavarësisht këtij pretendimi, togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorisë duke konfirmuar masën e sigurisë arrest me burg për 5 të ndaluarit të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim. 

Rojet bregdetare ishin të përfshirë në aksionin e kërkim shpëtimit në 8 Janar të vitit 2021 kur gomonia me 55 emigrantë nga Lindja e Mesme pësoi defekt në grykëderdhjen e lumit Vjosë pranë fshatit Poro. Gjatë evakuimit të klandestinëve dyshohet se ata kanë lënë të largohet skafistët. Pak ditë më pas njëri prej trafikantëve Emiljano Lika u vu në pranga nga policia.

Klan News