Presidenca ka pranuar gjatë ditës letrën e dërguar nga kryesuesi i Kuvendit Avni Dehari, për situatën e krijuar në Kuvend të martën. Sipas këshilltarit Bekim Kupina, ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar për t’i propozuar hapat e mëtejshme. Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se të enjten në orën 10:00 do të jetë në sallën e Kuvendit.

“LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë. Ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës. Zvarritjet e tjera janë veçse kalkulime politike me qëllim të dëmtimit të shtetit, demokracisë dhe rendit kushtetues!”, shprehet Lumir Abdixhiku.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se thirrjet e opozitës për të mos shkuar në zyrë të kryeministrit, për shkak të certifikimit si deputet, janë “thirrje për pezullim të shtetit”.

Në mbledhjen e mbajtur të qeverisë një ditë pasi ka dorëzuar letrën në Kuvend ku thotë se ka kryer aktin e dorëheqjes, ai ka komentuar arsyetimin e opozitës se Kurti dhe kabineti i tij nuk janë dorëhequr nga postet qeveritare që të bëhen deputetë.

“Ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Ne jemi në detyrë dhe i dorëhequr efektivisht që nga 23 marsi kur e kemi përmbyllur mandatin e rregullt dhe të plotë 4-vjeçar. Nga ajo ditë e deri te legjislatura e re qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shprehet Albin Kurti.

Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë e sqaron që qeveria në dorëheqje duhet të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca konstituive nuk mund të ndërpritet më gjatë se 48 orë.

Tv Klan