26 raste të reja, 20 vetëm në mjekësinë interne në QSUT

Kryeqyteti është kthyer në kryeqendrën e koronavirusit në vend. Për të dytën ditë, rastet e reja janë shënuar vetëm në Tiranë.

“Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numë të lartë të rasteve ditore. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë radhazi pa raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë”.

Në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza vijon hetimi epidemiologjik në shërbimin e mjekësisë interne, ku një ditë më parë u zbuluan 13 të infektuar mjekë e pacientë nga një infermiere e këtij shërbimi.

“Janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë”.

24 orët e fundit nuk ka patur fatalitete dhe as raste të reja të hospitalizuar në spitalin covid në Tiranë.

“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive”.

Nga fillimi i epidemisë janë konfirmuar pozitivë me Covid-19, 1076 persona. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar, ndërsa janë aktualisht aktiv 220 persona në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Tv Klan