“Stop” i siguron shtëpi me qira

Prej tërmetit të 26 Nëntorit, shumë familje nga zona e Lezhës, u strehuan në Raffaelo Resort. Por me urdhër të bashkisë, së fundi ata janë nxjerrë nga resorti pa u dhënë zgjidhje alternative.

Merita Doda, një banore e Mamurrasit jetonte në shtëpi me qira para tërmetit të 26 Nëntorit dhe pasaportizimin e ka në Laç. Me tre fëmijë të vegjël, njëri prej të cilëve i sëmurë, u nxor në 6 Shkurt në mes të katër rrugëve. Ajo për emisionin “Stop” tregon se nga Bashkia e Laçit nuk ka marrë asnjë zgjidhje.

Merita Doda: Jam banore e Laçit. Në datë 29 Nëntor, më kanë sjellë këtu, me gjithë familje, tek Raffaelo, me gjithë 3 fëmijët dhe me gjithë familjen time. Na kanë lënë në mëshirë të fatit, deri në orën 12, më kanë thënë të lëmë hotelin. Ku të shkoj? As bonus qiraje.

Gazetarja: Kur jua ka dhënë afatin e fundit  për të dalë nga hoteli?

Merita Doda: Sot në mëngjes, edhe dje që s’na kanë dhënë copë buke.

Gazetarja: Ka qenë me urdhër të bashkisë apo jo për të dalë?

Merita Doda: Me urdhër të bashkisë, urgjent për të lënë hotelin dhe jam këtu mes rrugës së madhe me gjithë familjen.

Gazetarja: Ju keni aplikuar për bonus qiraje?

Merita Doda: Jo nuk përfitojmë bonus, se kemi qenë me qira 11 vite. As çadrën s’kemi ku ta vëmë, edhe po të na japin. Gjej vendin dhe ta vemë, unë veç ta vë në majë të kokës.

Gazetarja: Sa persona jeni në familje?

Merita Doda: Vetë i pestë, mes rrugës së madhe, me 3 fëmijë të sëmurë.

Gazetarja: Po nga Bashkia e Laçit çfarë ju kanë thënë?

Merita Doda: Është thënë për të lënë hotelin

Gazetarja: Vetëm kaq? Asnjë zgjidhje tjetër?

Merita Doda: Asnjë zgjidhje. Këtu do rri, deri kur të vij ajo kryetarja e bashkisë, që na futi thikën mes për mes shpinës. Këtu të na jepte zgjidhjen dhe ne. Nuk kam ku shkoj. Kush të mundet të vejë dhe dorën në zemër se i kam dhe të sëmurë. 7-muajshe është kjo, është e sëmurë, nuk e kuptoj çfarë i kanë bërë me serumet në Lezhë. Nuk e kuptoj se nga i erdhi kjo, nuk lëviz dot këmbën, nuk kemi mundësi ta ndjekim nga mbrapa, të vdesë nuk kemi mundësi. Kërkoj një zgjidhje sa të fut kokën, një dhomë a një kontenier.

Gazetarja e “Stop” takon kryetaren e bashkisë së Kurbinit, për një zgjidhje për Meritën dhe 3 fëmijët e saj.

Gazetarja: Unë jam këtu brenda, që po pres, ti je këtu në zyrë, që po pret, por ke shumë familje, që po presin përpara “Raffaelo Resort” në të ftohtë, me fëmijë.

Kryetarja e Bashkisë Laç: Po!

Gazetarja: Pse kanë dalë jashtë?

Kryetarja e Bashkisë Laç: Pse interesohesh ti, që po presin?

Gazetarja:  Pse interesohem unë? Sepse nuk interesoheni ju, prandaj interesohem unë.

Kryetarja e Bashkisë Laç: Jo moj zonjë të lutem, ti nuk mund ta thuash këtë!

Gazetarja: E them, përderisa ata janë atje jashtë.

Kryetarja e Bashkisë Laç: Unë s’e kam këtë informacion, se janë jashtë.

Gazetarja: S’e keni ju? Po lista, nga Bashkia juaj, kishte shkuar tek “Rafaeolo Resort”, për të nxjerrë këto familje.

Kryetarja e Bashkisë Laç: Nga cila Bashki?

Gazetarja: Nga Bashkia e Laçit. A është kjo Bashkia e Laçit?

Kryetarja e Bashkisë Laç: Cila listë? Jo, zonjë nuk ka shkuar asnjë listë, të nxirren jashtë.

Gazetarja: Nuk ka shkuar? Mua menaxheri i hotelit ma tha këtë dhe e kam me fakte.

Kryetarja e Bashkisë Laç: Të lutem, zonjë! Të lutem! Unë çoj një përfaqësues nga Bashkia Kurbin, që menaxhon situatën atje.

Gazetarja: Të lutem pyete pak! Cila është zgjidhja, që ofrohet për ta, sepse ata janë jashtë “Rafaelo Resort”?

Kryetarja e Bashkisë Laç: Zgjidhja, që ofrohet, bashkia po studion gjithë mënyrat, për t’i sistemuar edhe ata, sepse ata kanë qenë të pastrehë për gjatë gjithë kohës dhe këta duhet të sistemohen po në ambiente me qera sepse kanë qenë me qira. Por Bashkia do të gjejë një zgjidhje imediate edhe për këta banorë, për t’i trajtuar me fondet e bashkisë. Edhe Merita Dodës, në qoftë se ka nevojë për çadër, do i vëmë në dispozicion çadra nga bashkia Kurbin…

Gazetarja: Ajo ka tre fëmijë dhe njërin e ka të sëmurë, i cili nuk i lëviz dot këmbët.

Kryetarja e Bashkisë Laç: Atëherë, Merita Doda mund të paraqitet këtu, të bëjë edhe një takim me kryetaren e bashkisë, të shohim mundësitë, çfarë mund të ofrojë bashkia. Ne kemi dhe shoqata, kemi dhe mundësi të tjera, që të ofrojmë një zgjidhje imediate për Meritën. Që kemi bërë një kërkesë, për një zgjidhje të kësaj edhe më lart e kemi bërë. Se është e vështirë në Kurbin të gjesh banesa me qira, është e vështirë, pasi është e prekur e gjithë zona nga tërmeti.

Gazetarja: Ka kaluar Janari, që mund të gjendej, mund të bëhej kjo gjë me shoqatat…

Kryetarja e Bashkisë Laç: Ka kaluar, po s’po e gjejmë edhe ne. Buxheti i bashkisë Kurbin nuk mund të mbulojë gjithë këto detyrime.

Pas këmbënguljes dhe ndihmës së emisionit “Stop”, zonjës iu gjet një shtëpi në Shëngjin dhe iu pagua bonusi i qirasë./tvklan.al