Prokuroria: Kemi disa indikacione, po i verifikojmë

Ende asgjë konkrete në rastin e hetimeve për vrasjen e trefishtë që ndodhi të premten në mbrëmje në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar dhe kanë disa indikacione që janë duke i gjurmuar për t’i vërtetuar.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi ka thënë se rrethanat tregtojnë se nuk do ta kenë të lehtë hetimin, megjithatë është shprehur optimiste se do ta zbardhin këtë rast.

Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë Euro si shpërblim për informacione që çojnë në zbulimin e rastit.

Ndërkohë gjendja e të plagosurit është e stabilizuar, bëjnë të ditur nga spitali rajonal i Pejës.

Të premten një person i maskuar afër fshatit Gllogjan ka shtënë në drejtim të një autobusi në lëvizje i cili po barte nxënës të shkollës së mesme.

Nga të shtënat 3 persona kanë mbetur të vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës, ndërsa autori ka ikur në drejtim të panjohur.

Përkundër përpjekjeve hetuesit ende nuk kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit ndonëse janë duke vazhduar hetimet, janë intervistuar disa persona si dhe janë kryer disa bastisje.

Tv Klan