Pasuritë e Adriatik Llallës do të mbeten nën sekuestro, siç kanë qenë që prej datës 20 Korrik. Gjykatësi i Apelit të Krimeve të Rënda, Idriz Mulkurti nuk e hoqi sekuestron për ish-Prokurorin e Përgjithshëm që ka përballë tij institucionin, që drejtoi për më shumë se 7 vjet.

Në seancë mungoi avokati i Llallës, ndaj gjyqtari Mulkurti kërkoi asistencën e një avokati kryesisht. Akuza u përfaqësua nga prokurori Bujar Sheshi, të cilit iu desh të argumentojë se përse pasuritë e ish-shefit të tij duhet të mbeten nën sekuestro.

Kur vendosi sekuestron, prokuroria njoftoi se pasuria e Adriatik Llallës vlerësohej rreth 98 milionë Lekë. Bëhej fjalë për një apartament në Durrës dhe mbi 22 mijë metër katror tokë arë në Tiranë.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale”,

 thuhet në njoftimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Ish-Kryeprokurori nuk iu nënshtrua vetting-ut, pasi u tërhoq nga sistemi i drejtësisë më herët. Gjithsesi tani ai hetohet për “

shpërdorim detyre”

, “

deklarim të rremë të pasurisë”

 dhe “

pastrim të produkteve të veprës penale”.

Tv Klan