Referendum për importin e mbetjeve dhe kërkesë drejtuar presidentit Bujar Nishani për të mos e dekretuar ligjin.

Këto janë dy lëvizjet që Partia Demokratike do të ndërmarrë për të rrëzuar ligjin për importin e mbetjeve, të miratuar me 63  vota nga maxhoranca, në seancën plenare të së enjtes.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha:

Rruga kryesore është ndalimi i importit të plehrave ndaj ne do të bëjmë gjithçka që të mbyllet kjo çështje njëherë e përgjithmonë. Të kërkojmë nga Presidenti, mosratifikimin e ligjit; të bëjmë përpjekje në Kuvend dhe të krijojmë mundësi qytetarëve për t’u shprehur. Po ashtu, ne do të ushtrojmë të drejtën tonë që t’i kërkojmë Kuvendit të drejtën e referendumit

Mbështetja e protestave të shoqërisë civile janë një tjetër rrugë e opozitës, për të kundërshtuar ligjin. Duke pranuar që ligji i miratuar nga qeveria e djathtë në 2011 ishte i gabuar, Basha tha se ligji i tanishëm nuk është bërë për të shpëtuar nga falimenti industrinë e riciklimit, por për interesa të mafies.

Gjatë votimit në Parlament, opozita votoi kundër ligjit, pasi sipas saj qeveria nuk ka asnjë mekanizëm për të ndaluar ardhjen e mbetjeve të rrezikshme në vend dhe se mazhoranca e miratoi atë për interesa klienteliste./TV KLAN