50 milionë tonelata mbetje elektronike prodhon bota çdo vit dhe tashmë ato po shndërrohen në një kërcënim për mjedisin global. Alarmi jepet nga OKB, në raportin e së cilës theksohet se vetëm 20% e tyre riciklohet, të paktën zyrtarisht. Dhe kjo industri mbetjesh elektrike e elektronike që po pushton planetin, ka një vlerë që prek 55 miliardë dollarë.

Sipas OKB duhen masa urgjente, veçanërisht përsa i përket metaleve të rënda dhe të rrezikshme, si dhe lëndëve toksike që përmbajnë të gjitha pajisjet, të cilat përfundojnë në ujë, apo nën tokë.

Gjatë mbledhjes së fundit të mbajtur në Gjenevë, me përfaqësuesit qeveritarë dhe të organizatave sindikaliste, është arritur në dakordësim për promovimin e investimeve në infrastrukturat dhe sistemet e riciklimit në të gjitha nivelet.

Por tjetër urgjencë është edhe domosdoshmëria dhe krijimi i kushteve maksimale të sigurisë për të gjithë punonjësit e sektorit, duke qenë mjaft i rrezikshëm, si për shëndetin e njeriut ashtu edhe për mjedisin.

Klan Plus