Me rregullin e ri ku në çdo 1000 metër vijë bregdetare 300 metra do jetë plazh publik, në sezonin e ardhshëm veror në të gjithë vendin do të ketë më shumë se 1 mijë parcela plazhi publike, dyfish më shumë se sezoni i kaluar.

Këtë konfirmon drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në një intervistë për Tv Klan pas miratimit të hartave të plazheve të përgatitura nga bashkitë për vitin 2025.

“Janë garantuar hapësira shumë më të mëdha publike në të gjithë vijën bregdetare dhe në ato zona që janë të urbanizuara do shikojmë që do ketë hapësira shumë të mëdha publike”, tha Ledion Lako, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Për shkak të vijës më të gjatë bregdetare, Bashkia e Durrësit do të ketë edhe numrin më të lartë të plazheve publike.

“Pastaj vjen Bashkia e Himarës, Bashkia e Vlorës, Lezhës, Shkodrës”, tha Lako.

Me rregulloren e re, bashkitë në vitin 2025 kanë mundësi të bëjnë edhe vetë investime dhe të ofrojnë shërbimin me çadra, më çmime shumë më të lira sesa në plazhet e menaxhuara nga subjektet private.

“Vetë bashkitë kanë mundësi të ofrojnë stacione plazhi të mirëfillta, ku të ofrojnë si cilësinë e shërbimit, pastërtinë, sigurinë dhe me anë të vendimeve të këshillit bashkiak do vihen tarifa shumë modeste”, tha drejtori i Agjencisë.

Aplikimet për stacione plazhi do të jetë të hapura nga 15 Nëntori deri në 15 dhjetor për strukturat akomoduese, të vetmet që kanë të drejtën të kenë stacione plazhi nga viti i ardhshëm. Përjashtim bëjnë bashkitë Fier dhe Divajë, ku për shkak të mungesës së hoteleve në afërsi të plazheve do të kenë stacione plazhi edhe baret dhe restorantet.

“Janë rreth 1 300 parcela të lira për t’u aplikuar nga subjektet private. Në rastin se kemi të bëjmë me një hotel që ka 10 dhoma apo 20 do marrë dyfishin e çadrave”, tha Lako.

Me shtimin e hapësirave publike, sfida e bashkive për vitin e ardhshëm është garantimi i sigurisë dhe pastërtisë në plazhe.

Tv Klan