Analistët: Çdo vonesë në dëm të vendit

Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur u mbajtën zgjedhjet në Kosovë, megjithatë ende nuk janë certifikuar rezultatet meqë janë mbi 100 ankesa në PZAP. Pa marrë përgjigje për ankesat e mundshme, në KQZ thonë se nuk mund ta dinë se kur do të certifikohen rezultatet.

Analistët çdo vonesë për krijimin e institucioneve e shohin në dëm të vendit. Njohësi i çështjeve politike, Armend Muja, thotë se institucionet duhet të formohen para datës 25 Dhjetor, për shkak të buxhetit të shtetit.

“Është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi para datës 25 Dhjetor, pasi që pas kësaj date skadon afati i buxhetit të shtetit”.

Pas certifikimit të zgjedhjeve, Kosova ka afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit. Pas konstituimit të Kuvendit presidenti ka afat 15 ditë që të nominojë kryeministrin nga partia fituese, emrin e të cilit duhet ta dërgojë në Kuvend.

“I nominuari për kryeministër paraqet para legjislaturës së re edhe kabinetin i ri qeveritar. Kësisoj me votim të deputetëve votohet i tërë kabineti qeveritar dhe kështu krijohet dhe votohet edhe qeveria e re e cila del pas zgjedhjeve të 6 Tetorit”

Kosova më 6 Tetor mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare pas dorëheqjes të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Tv Klan