Europa dhe SHBA më të goditurat e pandemisë

Arrin mbi 2 milionë numri i viktimave nga koronavirusi në mbarë botën. Të dhënat e fundit të Universitetit Johns Hopkins thonë se gjysma e tyre u shënuan që nga 29 Shtatori.

Pra në më pak se 3 muaj e gjysmë, 1 milion persona kanë humbur jetën për shkak të virusit. Në të njëjtën periudhë janë shënuar edhe rreth 60 milionë raste të reja duke e çuar totalin e të prekurve në 94.3 milionë.

Numrin më të madh të viktimave në botë vijojnë ta mbajnë Shtetet e Bashkuara me 401 mijë jetë të humbura i ndjekur nga Brazili me mbi 208 mijë dhe më pas vijnë India dhe Meksika.

Europa, kontinenti më i goditur nga pandemia numëron rreth 30 milionë të infektuar. Numrin më të madh të viktimave e ka Britania e Madhe me mbi 87 mijë të tillë dhe 3.3 milionë të infektuar.

Në këtë vend vijon të mbetet shqetësim varianti i ri i Covid që ka një transmetueshmëri më të lartë. Ky variant ka shtuar rastet edhe në Shtetet e Bashkuara ku ekspertët thonë se në javët në vijim pritet një tjeter rritje e kurbës së infektimeve.

Rritje të rasteve dhe viktimave kanë raportuar në javët e fundit edhe vende si Franca, Italia dhe Turqia. Shqetësuese mbetet situata edhe në Rusi, vendi i katërt në botë me 3.5 milionë të infektuar dhe 65 mijë viktima.  

Tv Klan