Më shumë se 200 mijë qytetarë shqiptarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCovid.

Lajmin e mirë e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo thotë se këta persona sot janë shumë më të mbrojtur nga Covid-19.

“Më shumë se 200 mijë qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës dhe janë sot shumë më të mbrojtur nga Covid-19, teksa vijon me ritme të larta vaksinimi në të gjithë vendin”, shkruan ministrja.

Deri më tani në vendin tonë janë kryer mbi 650 mijë vaksinime. Objektivi i qeverisë është që brenda Qershorit të realizohen 1 milion vaksinime./tvklan.al