Mjekët: Kur virusi zbret në mushkëri nuk kapet nga tamponi

Mbi 200 pacientë janë të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. 2/3 e tyre rezultojnë të dyshuar për covid, pasi tamponi rezulton negativ, ndërsa skaneri i mushkërive tregon vatra të theksuara pulmoni.

“Është një situatë e rënduar. Unë kam këtu rreth 210 të shtruar. Vështirësia në frymëmarrje që është simptoma kryesor i këtyre rasteve, 2/3 e tyre dalin me tampon negativ sepse e kanë kaluar stadin e parë në shtëpi”.

Por përse tamponi rezulton negativ dhe pamjet imazherike tregojnë për prezencë të virusit të covid?

 “Virusi është vendosur thellë në rrugët e frymëmarrjes. Covid me test nazofaringial del në ditët e para. Kur infeksioni zbret poshtë testi që merret në rrugët e sipërme respiratore rezulton negativ, ama pjesët e poshtme janë prekur. Është vendosur pneumonia”.

Covid po prek çdo moshë. Specialistët thonë se në urgjencën e spitalit “Shefqet Ndroqi” paraqiten rreth 50 raste në ditë dhe afro gjysma e tyre shtrohen për shkak të komplikacioneve nga covid.

“Është një fluks shumë i madh i cili shkon 50-60 urgjenca në ditë dhe kemi një mesatare shtrimi 20 shtrime në ditë. Ka mosha të reja të cilat janë që nga mosha 18 vjeç deri në moshën 40 vjeç”.

Bluzat e bardha rekomandojnë që me shenjën e parë të dyshimtë qytetarët të konsultohen me mjekët e familjes për të filluar direkt medikamentet që mbrojnë mushkëritë, pasi në të kundërt gjendja mund të përkeqësohet ashtu siç ka ndodhur në shumicën e pacientëve të shtruar më pas në spital.

Tv Klan