Dokumenti përfshin certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare

Leja e Qarkullimit, Certifikata e Pronësisë dhe Leja Ndërkombëtare e mjetit, tashmë do të jenë në një dokument të vetëm. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, leja e re e qarkullimit është sipas standardeve të Bashkimit Europian!

Po ashtu leja e qarkullimit tashmë kushton më pak. Kosto e Lejes së Qarkullimit tashmë është 2,100 Lekë nga 3,500 Lekë që kushtonte më parë, duke ulur tarifën me 40%. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Transporteve nga Qershori deri në Korrik janë lëshuar 32,724 Leje të reja qarkullimi.

Krahasuar me vitin 2021, janë lëshuar 1,874 më shumë, ndërsa krahasuar me vitin 2018 janë 11,099 më tepër.

Edhe kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet në lejen e re të qarkullimit e cila sipas tij është në përputhje të plotë me standardet e Be dhe redukton kohë dhe shpenzime për drejtuesit e automjeteve.

Leja e re e Qarkullimit të mjetit lëshohet për regjistrime të reja ose kur qytetari azhurnon të dhënat e mjetit, kur ndërron pronësinë, kur humb apo dëmtohet leja e vjetër dhe kur qytetari dëshiron vetë të marrë lejen e re.

Nuk është e detyrueshme për mbajtësit e Lejes së vjetër të Qarkullimit të mjetit që ta rinovojnë ose ndërrojnë atë.

Tv Klan