Perëndimi akuzon Putin si autor: Duhet hetim transparent
Vdekja misterioze në burg e Aleksei Navalnit, rivalit kryesor politik të Vladimir Putinit ka shkaktuar protesta në gjithë Rusinë, të cilat autoritetet ruse janë përpjekur t’i ndalojnë.
Në Moskë, Shën Pjetërburg e gjithë Rusinë, policia arrestoi të paktën 340 protestues. Krahas protestave, buqeta me lule dhe qirinj vendosën qindra qytetarë pranë fotove të tij në qendrat e qyteteve.
Pjesëtarët e ekipit të ish-liderit të opozitës anti-Putin hedhin dyshime për manipulim të rezultatit të hetimeve, pasi autoritetet mbajnë sekret vendndodhjen e trupit të tij. As të ëmës nuk i kanë treguar se ku ndodhet trupi i të birit.
Mbështetësit e Navalnit akuzojnë Vladimir Putinin për vrasjen e rivalit të tij kryesor politik.Akuza ndaj presidentit rus janë hedhur edhe në manifestimet e mëdha që u zhvilluan në qytete të ndryshme perëndimore. Në Uashington, manifestuesit hodhën parulla ku presidenti rus konsiderohej “vrasës”.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe liderë perëndimorë e drejtuan gishtin nga Vladimir Putin si përgjegjës për vdekjen e tij, duke kërkuar hetime transparente dhe të ndershme për shkaqet e vdekjes.
Tv Klan