Manastirliu: Plani i rritjes së pagave për personelin shëndetësor do të vijojë me rritjen e targetuar për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët e të gjithë sistemit shëndetësor

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën shëndetësore numër 8 në Tiranë, ku foli për rimbursimin e fishave të diabetit për pensionistët, një prej vendimeve të fundit drejt mbulimit shëndetësor universal.

“Tashmë në të gjithë vendin mjekët e familjes janë duke bërë një punë të lavdërueshme, sepse janë më shumë se 35 mijë të moshuarit që kanë përfituar nga fishat falas, të cilat jepen nëpërmjet sistemit të rimbursimit. Shumë shpejt arrijmë edhe targetin që kishim parashikuar për 50 mijë të moshuar të grupmoshës +65 vjeç që përfitojnë falas fishat e diabetit”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me stafin mjekësor, Ministrja Manastirliu foli edhe për planin e qeverisë për rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve: “Mjekëve specialistë do t’a rritet paga, siç kemi premtuar, me 500 dollarë. Paga e mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve rritet me 7% dhe duke filluar nga viti tjetër kemi një rritje të targetuar për mjekët e familjes dhe infermierët gjithashtu, në mënyrë që të ecim me rritjen e pagave dhe fuqizimin e sistemin tonë shëndetësor dhe burimeve njerëzore, në një hap edhe me vendet e tjera të rajonit”, tha Manastirliu.

Pacientët me diabet përfitojnë trajtimin e plotë falas, me një financim të barnave me rimbursim në vlerën 2.2 miliard lekë/vit. Rimbursimi i fishave të diabetit nisi për grupmoshën 0-18 vjeç në 2018 dhe më pas u zgjerua edhe për të rinjtë deri 25 vjeç. Nga 27 Shkurti 2023, fishat për matjen e glicemisë përfitohen në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me FSDKSH, edhe nga të moshuarit +65 vjeç, si për pacientët që trajtohen me insulinë dhe për ata që marrin trajtim medikamentoz nga goja.