Vijon të rritet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi vargmalet që ndajnë Iranin dhe Irakun. Aktualisht numërohen të paktën 407 të vdekur e mbi 7 mijë të plagosur.

Irani ishte vendi më i dëmtuar nga tronditjet e forta të tokës. Pjesa më e madhe e viktimave janë nga qyteti perëndimor Sarpol-e-Zahab. Sipas mediave vendase, më shumë se 200 persona mbeten ende të bllokuar nën rrënoja, në një kompleks rezidencash, që u shkatërrua plotësisht.

Lëkundje ishin të një magnitude 7.2 e shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit u regjistrua 31 kilometra larg qytetit irakian të Halabjasë, në një thellësi prej 40 kilometrash. Dëshmitarët thonë se lagje të tëra janë rrafshuar. Lëkundjet nxorën në rrugë rreth 70 mijë njerëz, që banojnë në qytetet pranë zonës kufitare mes Iranit dhe Irakut.

Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja në të dyja anët e kufirit. Në garë me kohën për shpëtimin e jetëve, autoritetet iraniane u kanë dhënë urdhër edhe punonjësve të administratës të ndihmojnë në pastrimin e rrënojave. Ky është tërmeti me bilancin më tragjik gjatë këtij viti.

Lëkundjet e tij ishin aq të forta sa u ndjenë edhe në shtetet më të largëta si Izraeli, Pakistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti e Libani. Irani përballet vazhdimisht me lëkundje të forta toke, që kanë shkaktuar mijëra viktima. Ekspertët shpjegojnë se përmes territorit iranian kalon vija ndarëse mes pllakave tektonike të Arabisë dhe Euroazisë, që janë tepër aktive dhe përplasen vazhdimisht.

/Tv Klan