Këshilli i Sigurimit kërkon ndalimin e luftimeve

Më shumë se 42 palestinezë humbën jetën këtë të dielë në Gaza si pasojë e sulmeve ajrore dhe të artilerisë izraelite. Zyrtarët e Gazës thanë se mes viktimave ishin edhe 16 gra dhe 10 fëmijë.

Në objektivat e sulmeve izraelite ishte edhe shtëpia e udhëheqësit të Hamasit për territorin e Gazës, Jahja Sinvar, e cila u bombardua në orët e para të së dielës.

Filmimet tregojnë shpërthimet në zonën, ku banon 58-vjeçari dhe të afërmit e tij. Ushtria izraelite tha se në këtë zonë ndodhen edhe bazat e raketave të grupit ekstremist, të cilat u rrafshuan. Megjithatë nuk dihet ende fati i Sinvarit.

Pas 7 ditë luftimesh numërohen afro 198 të vrarë dhe mbi 1,230 të plagosur. 188 nga viktimat i përkasin palestinezëve, ndërsa 10 prej tyre raportohen se janë izraelitë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u shpreh këtë të dielë se vendi i tij është i vendosur që të vijojë operacionin ushtarake kundër militantëve palestinezë në Gaza deri në rivendosjen e plotë të qetësisë.

Ndërkohë që edhe Hamasi nisi një sulm të ri raketash drejt Izraelit jugor.

Për t’i dhënë fund gjakderdhjes Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim emergjent, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i KB Antonio Guterres tha se ajo që po ndodh mes Izraelit e Gazës ishin diçka tejet e tmerrshme, ndaj dhe bëri thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftimeve.

Ai gjithashtu tha se Kombet e Bashkuara “po angazhojnë në mënyrë aktive të gjitha palët drejt një armëpushimi të menjëhershëm, por kërkoi prej tyre që të lejojnë përpjekjet për ndërmjetësim të kenë sukses”.

Nevojën për t’i dhënë fund konfliktit e mbështeti edhe ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila i tha Këshillit të Sigurimit se SHBA i ka bërë të qartë Izraelit, palestinezëve dhe të tjerëve se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje “nëse palët kërkojnë një armëpushim” për t’i dhënë fund dhunës.

Një mbledhje emergjente mbajti edhe Organizata për Bashkëpunim Islamik, e cila i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund sulmeve ushtarake në Rripin e Gazës.

Tv Klan