Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Fahran Haq ka deklaruar se më shumë se 430 mijë vetë janë vaksinuar në Shqipëri që nga Janari e deri tani.

Haq tha se Shqipëria do të marrë sasinë e mjaftueshme nga COVAX-i për të vaksinuar 20 përqind të popullsisë deri në fund të këtij viti. COVAX është partnere me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Komisionin Europian.

Haq theksoi se ekipi i OKB-së në Shqipëri ka ndihmuar në fushatat bindëse për të nxitur vaksinimin dhe parandaluar përhapjen e COVID-19. Kurse Organizata Botërore e Punës, (ILO) ka mbështetur gratë që janë prekur nga pandemia duke ndihmuar për shembull me para gratë që kanë humbur punën në industrinë e tekstilit.

Fondi për fëmijët i organizatës, UNICEF, ka dhënë mbështetje në sektorin e edukimit duke ndihmuar me platformat online për fëmijët në nevojë. Kurse agjencia për refugjatët, UNHCR ka ndihmuar me ushqime dhe konsultime bashkë me refugjatët edhe të tjerët.

COVAX ka dërguar deri tani vaksina në 100 vende të botës dhe ka marrë përsipër të furnizojë gjatë këtij viti 2 miliardë vaksina në botë dhe të sigurojë nga donatorët 1,8 miliardë doza të tjera vaksinash.

Klan News