Ekipet e emergjencës në garë me kohën për të mbijetuarit

Tmerri i tërmeteve nuk po ndalet në Turqinë juglindore. Pallatet e dëmtuar nga lëkundjet e fuqishme të së Hënës vazhdojë të bien nga pasgoditjet.

Bilanci i viktimave vijon të rëndohet me ritme të shpejta. Deri më tani numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri kapërceu 7 800, rreth 5 900 prej të cilëve në Turqi. Ndërsa gati 32 mijë të tjerë janë të plagosur. Më shumë se 5,700 ndërtesa janë rrënuar. 

Ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Operacionet nuk janë ndalur në asnjë moment.

Edhe pas 38 orësh, shumë njerëz po shpëtohen të gjallë nga rrënojat, si këta fëmijë. Aq të gjera janë hapësirat e shkatërruara sa shumë trupa të pajetë dergjen ende rrugëve.

Të tjerë banorë presin me ankth të mësojnë për fatin e të afërmve të tyre nën rrënoja. Shumë të lënduar po kurohen rrugëve, pasi në spitalet turke dhe ato siriane nuk ka më vend.

 Në Iskanderun, tërmeti ka shkatërruar plotësisht spitalin e qytetit. Në Malatja shumë banorë që e kaluan natën në temperatura disa gradë nën zero dhe në dëborë.

“Kemi mbetur pa shtëpi nën dëborë, s’kemi asgjë”.

“Kam dy nipër aty nën rrënoja. Si ajo ndërtesë ka me qindra”.

Për strehimin e banorëve të mbetur pa shtëpi, gjatë orëve të fundit ka nisur ngritja e qindra çadrave. Presidenti Erdogan tha se deri tani janë shpëtuar nga rrënojat 8 mijë persona.

Mediat turke raportojnë se deri më tani qendra e vullnetarëve ka marrë një numër të jashtëzakonshëm prej mbi 719 mijë aplikimesh nga njerëz që duan të japin kontributin e tyre në operacionet e shpëtimit në 10 qytetet e shkatërruara nga lëkundjet e tokës.

Në terren janë mbi 53 mijë anëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit. Megjithatë, aksesi drejt këtyre zonave është vështirësuar, pasi siç duket në këto pamje, shumë rrugë hyrëse tashmë nuk ekzistojnë. 

Porti i Iskanderunit u përfshi nga një zjarr masiv, në zonën e kontenierëve, si pasojë e lëkundjeve të tokës.

Ankaraja shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 10 qytetet e prekura nga tërmeti, e cila do të zgjasë 3 muaj. Sipas Kombeve të Bashkuara, të prekur nga pasojat e tërmetit janë mbi 23 milionë njerëz në një zonë të gjerë prej 450 kilometrash si në Turqi ashtu edhe në Siri.

Tv Klan