Erzeni përmbyt shtëpitë në Shijak

Ndonëse reshjet e shiut janë ndërprerë, Shkodra edhe këtë të shtunë në një pjesë të mirë ta saj ishte nën pushtetin e ujit. Këto janë pamjet e të shtunës në mbrëmje, ku siç edhe shihet uji vijon të jetë prezent edhe në lagje të qytetit.

Bashkia njoftoi se për shkak të baticës dhe prurjeve nga të gjithë lumenjtë dhe liqeni situata është rënduar në të gjithë zonën e nën Shkodrës me 5370 Ha sipërfaqe nën ujë.

Në njësinë administrative Ana e Malit rezultojnë të përmbytura 10 shtëpi. Rruga drejt fshatit Obot tashmë është e pakalueshme edhe nga makinat e ushtrisë.

Edhe në Dajç rezultojnë të përmbytura 9 shtëpi ndërsa në Bërdicë situata është vështirësuar për 50 shtëpi banimi të rrethuara nga uji. Situata është problematike edhe në Bashkinë Shijak, Njësinë Administrative Sukth dhe Ishëm ku janë përmbytur 570 hektarë tokë bujqësore.

Dalja e lumit Erzen dhe Ishëm nga shtrati mbrëmjen e së enjtes ka përmbytur edhe katet e para të 25 shtëpive në Shijak dhe 30 në Katund të Ri. Në Sukth uji është prezent në oborret e 10 shtëpive ku ka pasur edhe familje të evakuuara.

“Shpitë të rrethuara komplet me ujë, lopët i kanë nxjerrë nëpër komshi, ku është pak më lartë. Gjithë natën me pompë, na ka hyrë uji brenda”.

“Që mbrëmë jemi nën ujë, shpi oborret nuk ke nga del. Është e 3 herë për këtë vit”.

“Kjo është dora e njeriut, se nuk i menaxhojnë në kohën që duhet. Uji ka hy në shpi me bagëti e të gjitha”.

Lumenjtë Ishëm dhe Erzen aktualisht janë 50 centimetra nën pikën kritike.

Tv Klan