Specialistët: Kujdes me alkoolin dhe ekspozimin në diell

Një 72-vjeçar ka ndërruar jetë pasditen e së dielës sapo është futur të lahet në det në plazhin e Spillesë në Kavajë. Dyshimet e para sipas policisë janë për një arrest kardiak.

Por ky është rasti i 6-të i pushuesve që kanë humbur jetën gjatë kësaj vere në bregdetin shqiptar për shkak të komplikacioneve të zemrës. Mjekët ngrenë shqetësimin për këtë situatë  duke evidentuar edhe shkaqet.

“Rastet që sjellin arrest kardiak janë nga konsumimi në doza të larta i alkoolit, i konsumit të ushqimit dhe ekspozimi në diell dhe larja menjëherë në det. Kjo nuk i jep mundësi organizimit që t’ju përshatet më temperaturave të ndryshme”, thotë mjekja e familjes Bruna Shiroka.

Edhe pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera përveç asaj të zemrës, si diabeti apo hipertensioni, janë shumë të rrezikuar.

“Të shmangim ekpozimin në diell në pikun e ditës, shmangia e larjes në det menjëherë pas të ngrënit. Të sëmurët kardiakë duhet të mos ndërpresin trajtimin me medikamente”.

Gjatë stinës së verës është e këshillueshme konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe frutave, për t’i dhënë mundësi trupit të jetë i hidratuar.

Tv Klan