Mbi 8 mijë gra të papuna kanë ndihmuar në derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, por kanë përfituar edhe vjetërsinë në punë.
Të dhënat e siguruara nga Tv Klan bëjnë me dije se prej 1 Janarit të vitit të kaluar kur hyri në fuqi vendimi i qeverisë, 8579 gra të papuna me mbi 3 fëmijë kanë përfituar nga programi i pagesës së sigurimeve për një periudhë 5-vjeçare.
Numri më i madh i përfitueseve është në qarkun e Tiranës e ndjekur nga Elbasani dhe Shkodra.
Për sociologët, kjo mbështetje e grave në shoqërinë shqiptare duhet të shtrihet edhe më tej në kohëzgjatje, si në vendet e Europës.
“Mbështetja e grave në shoqërinë shqiptare duhet të jetë një konstante e vazhduar e përhershme sepse ka të bëjë me forcimin e familjes, sepse gratë akoma në shoqërinë shqiptare janë faktori kryesor social që mban peshën kryesore për familjen. Kjo skemë jo kontributive duhet shtyrë akoma më tej”.
Sipas ekspertëve, pagesa e kontributeve për gratë e papuna ndikon edhe në rritjen e lindshmërisë.
“Në qoftë se ne duam të rregullojmë këtë skemën e natalitetit dhe të shmangim plakjen e popullsisë, sepse nuk lindin vetëm gratë në punë, por edhe ato të papuna. Puna e papaguar e grave të papuna është një padrejtësi sociale”.
Aplikimi kryhet përmes platformës e-Albania përfshin vetëm ato gra që kanë mbi 3 fëmijë deri në moshën 18 vjeç, ku fëmija i tretë duhet të jetë deri në 5 vjeç.
Aplikimi nga gratë përfituese do të bëhet vetëm njëherë, më pas do të jenë strukturat shtetërore që do të përditësojnë listat mujore.
Të gjitha ato gra, të cilat mund të refuzohen për një nga kriteret përjashtues mund të riaplikojnë sërish kur t’i përmbushin ato.
Tv Klan